Në Beograd, ministrja serbe e Xehtarisë dhe Energjetikës, Zorana Mihajloviq, ka kritikuar drejtorin e një ndërmarrje shtetërore që menaxhon gazin në Serbi e që cilësohet si njeri përmes të cilit Moska zyrtare po forcon praninë energjetike në këtë vend.
Pamjet që po i shikoni janë të fundvitit të kaluar: Është një takim i ministres serbe të Energjetikës, Zorana Mihajloviq. Burri që po largohet nga pjesëtarët e sigurimit, është Dushan Bajatoviq, drejtor i ndërmarrjes shtetërore “Srbijagas” që menaxhon gazin në Serbi. Largimi është bërë me urdhërin e ministers për shkak se kishte shkuar në takim pa bashkëpunëtorët e ftuar nga shefja e tij. Media në Beograd flet se prej kohësh ka një intolerance me kësaj dysheje që në fakt flet edhe për raportet e partive në pushtet Mihajloviq është kuadër i Partisë Përparimtare Serbe të Presidentit Aleksandar Vuçiq, ndërsa Bajatoviq nga Partia Socialiste e Serbisë e kryeparlamentarit Ivica Daçiq.
Përtej kësaj, thuhet se e para është e afërt me sektorin amerikan të energjetikës, ndërsa i dyti llogaritet si njeri i Moskës. Duke folur për seksionin serb të Zëri të Amerikës të mërkurën, ministrja e Xehtarisë dhe Energjetikës, Zorana Mihajloviq, ka thelluar edhe më zënkën me socialistin Bajatoviq. E lutur të sqarojë një deklaratë të veten të mëhershme se “nuk do të tolerohet më që disa drejtorë t’i mbrojë partia ose Rusia, se a e ruan Bajatoviqin Rusia“, Mihajloviq thotë:
“Kurfarë Rusie nuk qëndron pas drejtorit të “Srbijagas”-it Dushan Bajatoviq. Edhe të gjitha ato zërat për komplote të mëdha, se si pas ndonjë drejtori qëndron kushedi kush, nuk janë të saktë. Kjo është çështje e rregullimit tonë të brendshëm nëse duam të kemi “Srbijagas”-in profitabël ose do ta lejojmë atë të punojë kështu sikundër po punon. Në përgjithësi, mendoj se drejtori i ‘Srbijagas’-it është turp për të gjithë. Ai është turp edhe për një Rusi, poqese e shtrojmë kështu, por është turp edhe për sektorin tonë financiar” – ka deklaruar ministrja serbe.
Rrjedhimisht, shtypi i pavarur serb ka lënë të kuptohet se ka qenë insistimi nga Moska që rusishtfolësi Bajatoviq të mbetet në ballë të ndërmarrjes që menaxhon praninë e gazit në Serbi për shkak të mbrojtjes së interesave energjetike ruse në këtë vend. Ministrja Mihajloviq duke përgënjeshtruar zërat se është “njeri amerikan“, ka thënë se vendi i saj tenton të shndërrohet në një korridor tranzitor jo vetëm për gazin rus që aktualisht importohet vetëm nga Rusia, por edhe për gazsjellësin lindoro-mesdhetar. Sipas saj, “stabiliteti i gazit është edhe stabilitet politik”.









