Mjaft më me varfëri në punë: Të mërkurën protesta masive dhe paralajmërim për grevë të përgjithshme

Të mërkurën e ardhshme, punëtorët do të dalin në protesta dhe paralajmërojnë bllokadë të qytetit. Kërkohet që paga minimale të arrijë në 600 euro. Kryetari i Lidhjes së Sindikatave thotë se rritja e pagës minimale është e domosdoshme pasi pragu i varfërisë në vend është 31.200 denarë dhe se 33 për qind e 540 mijë të punësuarve marrin pagë nën këtë prag, përkatësisht shkojnë në punë, por mbeten të varfër.

“Më datën 28, të mërkurën, duke filluar nga ora 17:00, dalim në rrugë. Është koha të luftojmë për paga të denja së bashku me punëtorët. I ftojmë të gjithë punëtorët, të cilëve nuk u janë rritur pagat, i ftojmë të gjithë punëtorët që mendohen si ta lidhin fundin e muajit, i ftojmë të gjithë punëtorët që janë mashtruar nga pronarët, menaxherët, drejtorët, funksionarët, kryeministrat, ministrat e kështu me radhë, se do t’ua rrisin pagat, por nuk e kanë bërë, të na bashkohen në rrugë“, deklaroi Sllobodan Trendafillov – kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.

Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov, tha se punëtorët nuk do të luten më për paga më të larta. Ai paralajmëroi se protestat do të jenë vetëm fillimi. Do të ketë bllokada, grevë të përgjithshme dhe nisma ligjore për uljen e pagave të funksionarëve.

“Protestë shtesë, bllokada shtesë, grevë e përgjithshme në sektorin publik. Nëse nuk na dëgjojnë, do të mbledhim 10.000 nënshkrime, do të bëhemi propozues të autorizuar të ligjeve, do të kërkojmë uljen e pagave të zyrtarëve për 78% dhe do të kërkojmë rritjen e pagave të punëtorëve“, u shpreh Sllobodan Trendafillov – kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.

Protesta do të fillojë para Shtëpisë së Punëtorëve, përkatësisht para godinës së LSM-së, për të vazhduar më pas drejt Kuvendit, Odës Ekonomike dhe do të përfundojë para Qeverisë. /Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu