Mjekët i dhanë vetëm dy vite jetë, por ja sa vjet i mbush sot gjeniu Stephen Hawking

Sot mund t’i urojmë “Gëzuar Ditëlindjen” njeriut me një nga mendjet më brilante të brezit të tij Stephen William Hawking.

Fizikanti, kozmologu dhe autori i teorisë angleze konsiderohet si një nga shkencëtarët më të mëdhenj dhe puna e tij ka ndikuar në mësimdhënien mbi relativitetin dhe mekanikën kuantike.

Që nga viti 1963, Hawking ka vuajtur nga një sëmundje nervore e njohur si skleroza laterale amyotrophic, ose SLA.

Në atë kohë mjekët thanë Hawking mund të jetojë vetëm dy vjet.

Sëmundja vret shumicën prej të prekurve, brenda pesë viteve të para, por ai ka sfiduar paralajmërimet e mjekëve dhe ka vazhduar të mbijetojë për më shumë se 50 vjet.

Karriera e Hawking-ut si studiues nisi pikërisht me një goditje të fatit.

Në moshën e 20-vjeçare – kur sapo kishte nisur tezën e doktoratës – u shfaqën shenjat e para të një sëmundjeje fatale të palcës kurrizore, të sklerozës laterale amiotrofike (ALS).

Shpejt sëmundja e lidhi atë pas karriges së invalidit. Ai humbet zërin dhe mund të komunikojë vetëm përmes një aparati. Megjithë paaftësinë e tij fizike, fizikanti ia del mbanë si jetës së tij private, për të cilën dëshmojnë dy martesat dhe tre fëmijët – edhe asaj profesionale.

“Si student isha i talentuar, por dembel”, thotë Hawking-u për veten e tij. “Vetëm pas fillimit të sëmundjes u fokusova tërësisht tek studimet”. Në vitin 1979 ai u bë profesor në Kembrixh, në katedrën ku punonte dikur legjendari Isak Njutoni.

Nga e ka origjinën materia?

Në Kembrixh Hawking-u zhvilloi teoritë e tij më të rëndësishme për fizikën: nisur nga teoria e përgjithshme e relativitetit e Ajnshtajnit, ai vërtetoi se shpërthimi i madh duhet të ketë nisur me një të ashtuquajtur “singularitet” para rreth 14 miliardë vjetësh – si një pikë tepër e vogël, e paimagjinueshme dot, e cila nuk mund të kuptohet me formulat dhe ligjet e sotme të fizikës.

Por tema e preferuar Hawking-ut janë vrimat e zeza – monstra galaktike që përpijnë me forca të mëdha graviteti çdo gjë që u vjen afër. Gjetja e tij kryesore: vrimat e zeza nuk ekzistojnë përgjithmonë, por ato zhduken ngadalë, për shkak se çlirojnë një rrezatim – rrezatimin e Hawking-ut.

Kjo gjë ende nuk është provuar, prandaj edhe Hawking-u nuk ka marrë deri tani Çmimin Nobel në Fizikë. Megjithë mungesën e provave shumica e ekspertëve janë të bindur për ekzistencën e rrezatimit të Hawking-ut.

Bazat e fizikës të kuptueshme për të gjithë

Po a është Hawking-u një Albert Ajnshtajn i dytë, sikurse besojnë shumë vetë? Jo, thonë jo pak shkencëtarë të tjerë. “Kontributet e Hawking-ut sigurisht nuk janë aq të rëndësishme sa ato të Ajnshtajnit”, thotë profesori i fizikës nga Hamburgu Klaus Fredenhagen. “Teoria e Relativitetit e Ajnshtajnit ka zhvilluar gjëra krejtësisht të reja, që nuk kishin ekzistuar më parë.” Kurse Hawking-u kryesisht vepron në kuadrin e teorive ekzistuese duke bërë aty plotësime të rëndësishme.

Por e qartë është një gjë: Hawking-u ka arritur si asnjë tjetër që ta bëjë kozmologjinë interesante për një publik të gjerë. Në vitin 1988 ai botoi librin e tij “Një histori e shkurtër e kohës”. Ky libër u bë libri më i suksesshëm shkencor-divulgativ i kohërave. Edhe pse përmbajtja e tij nuk është aspak e lehtë për t’u kuptuar deri tani nga ky libër janë shitur miliona kopje, duke e bërë atë një figurë kult.

Më vonë ai shkroi bashkë me të bijën Lucy, edhe një seri librash për fëmijë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu