Mohammad Baqer Qalibaf, njeriu me të cilin SHBA-ja mund të jetë duke komunikuar në Iran

Raportimet e kësaj jave sugjerojnë se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po e shqyrton në heshtje kryetarin konservator të Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, si partner të mundshëm për negociata – e ndoshta edhe si lider të ardhshëm të Iranit.

Uashingtoni ishte në kërkim të një kanali komunikimi për bisedime që prej vdekjes së udhëheqësit suprem, Ali Khamenei, në ditën e parë të sulmeve ajrore amerikane-izraelite kundër Iranit.

Djali i Khameneit është përmendur si pasardhës, por ai nuk është parë në publik që nga dita e vdekjes së të atit dhe raportohet se ka mbetur gjithashtu i plagosur në sulm.

Në këtë kontekst qarkullojnë edhe spekulime për Qalibafin si figurë që disa në Shtëpinë e Bardhë e shohin si partner të pranueshëm për negociata.

Vetë Qalibafi, 64 vjeç, i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke shkruar në platformën X se “nuk ka pasur asnjë negociatë me SHBA-në”, ndërsa raportimet i ka cilësuar si “lajme të rreme”, të dizajnuara për të manipuluar tregjet financiare dhe ato të naftës.

Pavarësisht nëse ekzistojnë ose jo kontakte të fshehta, shfaqja e tij si figura më e dukshme e nivelit të lartë në një sistem që po përjeton shpërbërje strukturore në vendimmarrje, e ka bërë – për herë të parë gjatë një karriere të mbushur me mundësi të humbura – njeri me peshë reale në skenën politike.

Qalibaf është një politikan konservator dhe ish-komandant ushtarak, i cili për dekada të tëra ka ndërtuar lidhje të forta me udhëheqjen më të lartë të Iranit dhe me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Megjithatë, pas një karriere të shoqëruar nga skandale korrupsioni dhe kandidime të pasuksesshme për presidencën, ai e gjen veten – në mënyrë paradoksale – si figura ndoshta më e fuqishme që ka mbetur në Republikën Islamike.

I lindur në vitin 1961, Qalibaf iu bashkua IRGC-së në moshën 18-vjeçare dhe u ngjit në hierarki gjatë luftës Iran-Irak të viteve 1980-1988, duke u bërë komandant njësie.

Më vonë, ai shërbeu si komandant i Forcave Ajrore të IRGC-së – para se ato të riemërtoheshin si Forca Hapësinore-Ajrore – një post që iu besua drejtpërdrejt nga udhëheqësi i atëhershëm suprem, Ali Khamenei, dhe një shprehje besimi që do ta përcaktonte trajektoren e tij politike për tri dekadat në vijim.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu