PSD po mban aktualisht zgjedhjet e saj të brendshme për të zgjedhur struktura të reja të partisë. Pas dorëheqjes së Shpend Ahmetit si i pari i këtij subjekti, Klan Kosova mëson nga burimet e saj brenda Kuvendit Zgjedhor të PSD-së, se kandidat i vetëm për Kryetar të PSD-së, është Dardan Molliqaj.
Mësohet se në këto zgjedhje ishin shtatë propozime por përfundimisht është vendosur të ketë vetëm një kandidat për Kryetar të PSD-së. Shpend Ahmeti bëri të ditur se për shkak të përgjegjësisë pas rezultatit zgjedhor të 6 tetorit, mori vendim për tu tërhequr nga pozitat në këtë subjekt partiak ndaj dhe siç thotë do të merret vetëm me postin e Kryetarit të Prishtinës, njofton Klan Kosova.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti ka njoftuar se sot ka kërkuar nga Kuvendi i PSD mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për të gjitha strukturat udhëheqëse të partisë duke filluar nga kryetari dhe se ka vendosur që të mos kandidojë për asnjë pozitë në parti. Sipas Ahmetit, zgjedhjet e jashtëzakonshme në parti u mundëson që kolektivisht të reflektojnë dhe të marrim përgjegjësi si parti.
“Ky propozim u aprovua në mënyrë unanime dhe që nga sot PSD do të ketë kryetar të ri dhe Këshill të ri. Pastaj Këshilli do ta votojë kryesinë e re dhe pozitat tjera udhëheqëse në parti. Po ashtu ju njoftoj se unë kam vendosur që të mos kandidojë për asnjë pozitë në parti. E para si marrje e përgjegjësisë për rezultatin zgjedhor, por arsyeja kryesore është angazhimi kryesor dhe i vetëm i imi në Komunën e Prishtinës”, ka shkruar ai.