Një histori aq sa e bukur, emocionuese dhe frymëzuese u transmetua mbrëmë në “Dua të të bëj të lumtur”. Kola ndau me publikun historinë e dashurisë me Mrikën, gruas me të cilën ka lidhur jetën pothuajse që fëmijë. Ata ishin njohur kur Kola ishte edne fëmijë, në shtëpinë e disa kushërinjve të tij dhe me kalimin e kohës kishin rënë në dashuri.
Familjet e tyre e kishin kuptuar këtë dashuri dhe ishin dakord që t’i lidhnin në martesë, mirëpo ligjërisht nuk mundeshin sepse Kola ishte ende i mitur dhe 4 vite më i vogël se Mrika. Pas shumë vështirësive, Mrika dhe Kola arritën të krijonin familjen e tyre dhe të sillnin në jetë 8 fëmijë.
Kola kishte thirrur Mrikën në televizion, për ta falenderuar për dashurinë dhe familjen që i ka dhuruar, por edhe për të festuar 73-vjetorin e martesës së tyre. ”Pasqyra e një burri është gruaja dhe lumturia e fëmijëve janë dy prindërit. Të falënderoj për familjen që kemi krijuar dhe për përkujdesjen që u ke dhënë fëmijëve”.-u shpreh ai.
Mrika nrrëfeu se Kola kishte qenë një mbështetje e madhe në rritjen e fëmijëve dhe se e ka dashur gjithmonë përgjatë gjithë këtyre viteve. Ajo tregoi se diferenca e moshës nuk kishte qenë asnjëherë një pengesë për dashurinë e tyre.









