Sofja ka hyrë në një narrativ shumë të rrezikshëm, i cili është në kundërshtim me interesat strategjike të BE-së dhe NATO-s por në interes të palëve të treta të cilat nuk duan stabilitet në rajon, theksoi ministri i punëve të jashtme, Timço Mucunski, shkruan Alsat.
Ai edhe një herë përsëriti vijat e kuqe e ato janë gjuha dhe identiteti, respektivisht afirmimi i trashëgimisë kulturore dhe historike të Maqedonisë.
“E vetmja që mund të bëj është të thërras Sofjen të sillet në mënyrë racionale, të mos hyjë në narrativat retrograde të cilat për fat të keq, qarqe të caktuara në atë shtet i kanë ndërtuar historikisht për çështjen e Maqedonisë. Ne nuk jemi përzgjedhur nga qytetarët tanë që të gjykojmë historinë, ne nuk kemi legjitimitet të gjykojmë dhe analizojmë historinë”, tha Timço Mucunski – Ministër i Jashtëm.
Këto deklarata vijnë pas akuzave të MPJ-së së Bullgarisë, të cilët theksuan se kanë vërejtur gjuhë të urrejtjes tek partitë politike në Maqedoni por edhe tek komuniteti akademik.
“Nëse ata e konsiderojnë gjuhë të urrejtjes atë që ne e shprehim për afirmimin e gjuhës dhe identitetit tonë, atëherë problemi është shumë më i madh nga ajo që ne mendojmë se e kemi si problem”, u shpreh Timço Mucunski – Ministër i Jashtëm.
Bullgaria së fundmi dërgoi letër deri te liderët e Bashkimit Evropian duke reaguar për raportin e miratuar në seancë të komitetit për punë të jashtme në Parlamentin Evropian.
Nga Bullgaria kanë propozuar që para fjalëve “gjuha dhe identiteti maqedonas” të shtohet edhe termi “modern”. Sipas Mucunskit votimi i raportit për Maqedoninë e Veriut në AFET është moment historik por jo fitore sepse nuk dihet ende se çfarë raporti do të miratohet në Parlamentin Evropian./ Alsat.mk