Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ka thënë se fletarrestet e Serbisë janë provokime.
Ai ka thënë se janë duke punuar për lirimin e Haradinajt.
“Dëshiroj të shpreh shqetësimin për ndaljen dhe procedurat që po zhvillohen ndaj kryetarit të AAK dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Këto fletarreste të Serbisë janë të padrejta të cilat janë provokime. Jemi duke punuar me të gjitha kapacitete për lirimin e Haradinajt”, ka thënë Mustafa, raporton Lajmi.net.
“Aktet e tilla janë të papranueshme. Haradinaj ka dëshmuar pafajësinë e tij dy herë në Hagë. Ne presim lirimin e Haradinajt dhe po ashtu presim që autoritetet franceze të reagojnë dhe këto fletarreste të cilësohet të pabaza”, ka theksuar Mustafa.
Ai ka thënë se në koordinim edhe me faktorët tjerë, do të veprojnë që Serbia t’i tërheqë këto fletarreste.
“Ne në koordinim edhe me faktorë të tjerë që të veprojmë nëse Serbia nuk i tërheq këto fletarreste ndaj zyrtarëve të Kosovës dhe luftëtarëve të çlirimit të Kosovës. Po ashtu jemi në kontakt edhe me BE-në lidhur me rastin e Haradinajt”, ka thënë Mustafa.