Nagavci për postin e presidentit: Jo domosdoshmërisht duhet të jenë kuadro të LDK’së

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar në lidhje me postin e presidentit, i cili po vazhdon të jetë një problem sa i përket arritjes së marrëveshjes për koalicion midis VV’së dhe LDK’së. Nagavci tha se ky post jo domosdoshmërisht duhet të jetë nga kuadrot e LDK’së me të cilët po tentojnë të bashkë-qeverisin.

Partia të cilës i takon Nagavci, po kërkon që ky post të bëhet me marrëveshje të përbashkët, mirëpo siç raportohet, LDK po kërkon që propozimi të bëhet nga ata.

Në një deklaratë dhënë KP, Nagavci tha se ky post duhet t’i takojë një personi i cili paraqet unitetin e popullit, gjë që nënkupton se nuk duhet të jetë domosdoshmërisht kuadro të LDK’së.

“Jo domosdoshmërish duhet të jenë kuadro të LDK-së. Ne e kemi shprehur të qartë se do të dëshironim që të kemi një person i cili paraqet unitetin e popullit. Bashkë me LDK-në do të angazhohemi që të gjejmë një person, kandidat ose kandidate i cili në mënyrën më të mirë do të paraqiste unitetin e popullit”, thotë Nagavci.

E për një situatë të tillë, anëtari i kryesisë së LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se në përpjekjet për të bashkëqeverisur me VV’në, në mënyrë që të balancohet pushteti, LDK’së iu takon pozita e të parit të shtetit.

“Ne kemi 30 vite që jemi themeluar dhe në shumicën e kohës kemi qenë në qeverisje. Nëse i shihni kuadrot që i ka propozuar LDK për pozitat më të larta shtetërore, për kryeministër, për kryetar të Kuvendit dhe president janë njerëzit më të respektuar të shoqërisë…duke pasur parasysh këto ne do t’i ruajmë standardet në çdo rrethanë”, tha Hoti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu