Napoli mbetet “thatë”, Reali heq nga merkato James Rodriguez

James Rodriguez do të mbetet thjeshtë një ëndërr për Napolin. Edhe pse ishte shumë pranë transferimit te të kaltrit, ylli kolumbian nuk do të transferohet në San Paolo pasi Reali i Madridit ka vendosur ta heqë nga merkato.

Lajmi i bujshëm raportohet nga programi El Chiringuito i cili i qëndron shumë afër klubit madrilen. Largimi i sigurtë i Gareth Bale por edhe dëmtimi i Marco Asensios në takimin ndaj Arsenalit të vlefshëm për International Champions Cup ka ndryshuar planet e klubit merengues me trajnerin Zidane që u ka kërkuar drejtuesve të Realit të mbajnë në skuadër James Rodriguez.

Përpara disa javësh Napoli arriti marrëveshjen me lojtarin për një kontratë afatgjatë me një pagë prej 5 milionë eurosh në sezon por nuk po bindte dot Los Blancos për ta lënë të lirë kolumbianin të transferohej në formë huazimi, ndërkohë që tashmë pista James Rodriguez mund të konsiderohet e sfumuar për klubin italian.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu