Muaji i Ramazanit ka hyrë në javën e tij të fundit. Erison Çela ka agjëruar që në ditën e parë të Ramazanit, por kjo e hënë, e përcaktuar si Nata e Kadrit është më e veçantë për të.
“E mira është që çdo ditë ta quajmë si natë Kadri se vetëm ashtu mund ta qëllojmë ditën e saktë”, ka thënë ai.
Nuk ka një datë specifike për Natën e Kadrit, por thuhet se është në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Imami Elton Karaj shpjegon se Nata e Kadrit cilësohet sa një mijë muaj.
“Nata e Kadrit e vetme e cituar në Kuran. Nata e Kadrit është me vlerë sa një mijë muaj, një jetë e tërë. Nata e Kadrit është e fshehur në dhjetë-ditëshin e fundit të muajit të Ramazanit. Besimtarët të tregohen të kujdesshëm dhe netët ti kalojnë me agjërim që të kapin natën e Kadrit”, ka thënë ai.
Numri i personave që agjërojnë Natën e Kadrit është shumë më i madh se ata që agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit. Madje agjërohet edhe nga ata që nuk I përkasin besimit islam.










