NATO: Jemi të gatshëm ta mbrojmë Kosovën kundër Serbisë

NATO nuk dëshiron të përfshihet në bisedimet që po bëjnë Kosova dhe Serbia, por ushtarët e saj janë të gatshëm t’i përgjigjen çdo situate në rast të eskalimeve eventuale, ka thënë një nga komandantët e NATO-s, James Foggo, i cili është duke qëndruar në Kosovë.

Admirali amerikan, James Foggo, Komandant i Komandës së Forcave të Bashkuara Aleate në Napoli ka thënë se rreth 4,000 ushtarë të NATO-s janë të gatshëm për çdo gjë.

“Nuk shoh asnjë kërcënim për integritetin e Kosovës”, ka thënë Foggo gjatë një konference për shtyp në bazën e ushtarake të KFOR-it Nothing Hill në afërsi të Leposaviqit.

“KFOR është shumë i fortë dhe ne nuk shohim ndonjë problem në të ardhmen e afërt apo të largët”, tha ai.

I pyetur nga gazetarët rreth shkrimeve të vazhdueshme në media për opsionet e ndarjes së Kosovës, ai ka thënë se “këto janë pyetje politike që duhet të zgjidhen përmes dialogut Prishtinë-Beograd”.

Admirali Foggo ka thënë se diskutimet në Beograd mund të sjellin edhe protesta në rrugë, por ai u ka bërë thirrje të gjithëve që edhe në rast të pakënaqësive, ato të shprehen në mënyrë demokratike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu