Ndahet nga jeta ish-kryeparlamentari i Kosovës, Nexhat Daci

Ka ndërruar jetë Nexhat Daci, akademik dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës njoftoi se Daci vdiq më 1 janar në moshën 81-vjeçare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e vlerësoi kontributin e Dacit në politikë dhe shkencë.

“Kontributi i tij shumëdimensional në ndërtimin e shtetit, në zhvillimin e arsimit të lartë dhe në avancimin e shkencës do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë sonë institucionale dhe intelektuale“, shkroi Osmani në Facebook.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit në legjislaturën e nëntë, Dimal Basha, çmoi lart kontributin e Dacit në ndërtimin e institucioneve.

“Me vizion, maturi dhe përkushtim, z. Daci kontribuoi në ndërtimin e institucioneve demokratike, në forcimin e Kuvendit si zë i qytetarëve dhe në avancimin e proceseve politike në prag të shtetësisë së Kosovës”, shkroi Basha në Facebook.

Akademiku Nexhat Daci, kaqenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2001 deri më 2011, ndërkaq ka udhëhequr organin ligjvënës për dy mandate në periudhën 2000-2004 dhe 2004-2006.

Në periudhën kur udhëhoqi Kuvendin e Kosovës ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas vdekjes së udhëheqësit të LDK-së dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova, Daci shërbeu si ushtrues i detyrës së presidentit për rreth një muaj më 2006. Pas ndasive me LDK-në, Daci e themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë dhe u bë kryetar i kësaj partie.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu