Ndizen tensionet: ‘Shqiptarët do pushtonin një ambasadë serbe’

Tensionet në rajon janë ndezur sërish pas arrestimit të ish-kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç i ka shtuar benzinë zjarrit, kur deklaroi se diaspora shqiptare kishte në plan të pushtonte një ambasadë apo konsullatë serbe në BE ose SHBA për të detyruar Shqipërinë që të braktisë kërkesën për ekstradimin e Haradinajt.

Ministria e Jashtme e Kosovës reagoi duke dënuar deklaratat e Daçiç si retorikë zjarrndezsëse.

Sipas kësaj ministrie, të tilla akte dhune mund të orkestrohen nga Serbia vetë për të fajësuar më vonë diasporën shqiptare.

Por Daçiç tha se informacionet për një sulm të mundshëm të shqiptarëve ndaj një ambasade serbe kanë ardhur nga shërbimet e sigurisë të një vendi perëndimor.

Ai tha se është rritur niveli i vigjilencës në përfaqësitë serbe.

Ndërkohë arrestimi i Haradinajt në Francë ka nxitur reagimin e shqiptarëve nëpër botë.

Një grup organizatash dhe shoqatash jo qeveritare shqiptaro – amerikane, së bashku me Federatën Panshqiptare “Vatra”, kanë ngritur zërin e tyre për lirimin e menjëhershëm të Haradinajt nga qeveria franceze.

Qindra shqiptarë u mblodhën përballë konsullatës serbe dhe asaj franceze në Nju Jork e valëvitën flamujt shqiptarë, amerikanë, flamurin e Kosovës dhe flamurin e Shqipërisë etnike me dy figurat- legjenda të Pavarësisë, Ismail Qemali dhe Isa Boletini. Në banderolat që ata mbanin nëpër duar, shkruhej se lideri historik i Kosovës Ramush Haradinaj është një hero e duhet të lirohet sa më parë nga autoritetet franceze.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu