Në një nga masivet pyjore të Librazhdit ka ndodhur mrekullia. Ndërsa Administrata e Zonave të Mbrojtura dhe zjarrfikësit po punonin për të shuar një vatër zjarri, në qiell janë grumbulluar retë dhe pikërisht në atë vend ka rënë një shi i rrëmbyer
Fenomeni i çuditshëm natyror ka ndodhur rreth orës 16.30 në pyllin e fshatit Rrajcë.
Një pyll me drurë ahu 300 vjeçarë që u shpallën pjesë e Trashëgimisë Botërore të Natyrës para pak javësh.
Aksioni për fikjen e zjarrit është ndjekur nga vetë Drejtori i Zonave të Mbrojtura, Fatmir Brazhda. Z. Brazhda shprehet se gjatë këtyre ditëve është punuar papushim për fikjen e zjarreve. Por pikërisht në këtë rast ka ndihmuar natyra.
Duket sikur vetë “dora e Zotit” kërkon ta mbrojë këtë pyll.
“Ishim duke punuar për fikjen e flakëve kur befas në qiell u grumbulluan retë dhe nisi një shi i rrëmbyer. Shiu na ndihmoi që të fikim më shpejt flakët. U gëzuam të gjithë pasi ky nuk ëshntë një pyll dosido, por pjesë e Trashëgimisë Botërore të Natyrës”, u shpreh Brazhda.
Njëkohësisht drejtori ka shkruar në profilin e tij në Facebook se “Vënia e zjarrit është një akt kriminal të cilin mund ta cilësojmë si një “terrorizëm mjedisor”. /Infoelbasani










