Nëntë vite pavarësi dhe për Pavarësinë, voglushen që lindi 5 minuta pas shpalljes. Shikoni fjalët rrënqethëse të saj dhe familjarëve

Në shtëpinë e familjes së Xhevdet dhe Lumturije Sopa nga fshati Sllovi të komunës së Lipjanit, e cila ndodhet në pjesën qendrore të Kosovës, fjala “pavarësi” shqiptohet shumë herë në ditë. Arsyeja e kësaj është se vajza e tyre e bukur dhe e lumtur quhet Pavarësia. Ajo lindi më 17 shkurt të vitit 2008, në ditën e pavarësisë së Kosovës dhe për nder të kësaj dite të madhe familja e saj i lënë vajzës së tyre emrin Pavarësia.

Në këtë 17 shkurt Pavarësia i mbush nëntë vjet dhe tani e di mjaft mirë se pse familja e saj i ka lënë këtë emër. Në një bisedë për Anadolu Agency (AA) ajo thotë: “Unë kam lindur 5 minuta pas shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008. Dua që shteti im të bëhet shumë i madh dhe të rinjtë të përparojnë shumë”, tha Pavarësia.

Pavarësia është nxënëse e shkëlqyer e klasës së tretë në shkollën fillore “Hasan Zyko Kamberi” në fshatin Sllovi. Asaj i pëlqen shumë flamuri i Kosovës ngjyrë kaltër dhe verdhë, ku edhe një shoqe e saj i kishte dhuruar flamur të tillë.

Pavarësia dhe fëmijët e tjerë të kësaj shkolle janë duke përgatitur për një shfaqje me rastin e ditës së pavarësisë. Kurse Pavarësia, në këtë ngjarje do ta recitojë një poezi e cila titullohet njëjtë me emrin e saj “Pavarësia”.

“Kosova ime e dashur, tani ke lirinë, më 17 shkurt fitove pavarësinë. Të jetojmë të lirë si zogj në qiell, të gëzohemi edhe ne si popuj të tjerë. Ëndrra shekullore e shqiptarëve je ti, urime Kosovë urime Pavarësinë!”.

Ndërkaq, nëna e Pavarësisë, Lumturije Sopa kujton që atë ditë, në mëngjes të 17 shkurtit të vitit 2008, ka patur dhimbje të lindjes dhe se ishte nisur për në Prishtinë, ku ishte pranuar në repartin e gjinekologjisë.

“Gjatë procesit të lindjes, në ora 3 e 25 minuta ishte duke u shpallur pavarësia e Kosovës dhe aty erdhën doktorët, doktoreshat, infermieret dhe shefja e repartit të gjinekologjisë, Suada Latifi, ku më përqafoi në dy faqe dhe më tha urime pavarësinë e shtetit dhe Pavarësinë e vogël, e cila ka lindur me emrin e vet Pavarësia”, tha Lumturija.

Ajo po ashtu rikujtoi se data e shpalljes së pavarësisë deri ditën e fundit ishte mbajtur e fshehtë, por sipas saj qytetarët kanë patur informacione se kjo do të ndodh më 17 shkurt. Lumturija tha se edhe bashkëshorti i saj, si të gjithë shqiptarët e tjerë, me padurim kishte pritur transmetimin e drejtpërdrejt të pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës dhe se ai nuk ishte edhe aq i entuziazmuar për të shkuar në spital.

“Bashkëshorti im më tha ku e gjete këtë ditë, unë kam pritur aq shumë ta shoh drejtpërdrejt duke u shpallur pavarësia, por pasi që ka lindur vajza jonë tha se ia ka vlejtur”, tha Lumturija.

Nëna Lumturija dhe vogëlushja Pavarësia, vetëm dy orë pas lindjes, ishin vizituar nga presidenti i asaj kohe, Fatmir Sejdiu. Në ditëlindjen e parë të saj, shtëpinë e Pavarësisë e kishte vizituar edhe kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi, kurse për të dytën, përsëri presidenti Sejdiu.

Lumturija po ashtu njoftoi se në familjen e burrit të saj, nuk është vetëm Pavarësia që ka lindur në një ditë historike për shqiptarët. Edhe stërgjyshja e Pavarësisë, Shehide Sopa Oruçi, e cila ishte vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë në vitin 1999, kishte lindur në ditën e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912.

Së fundmi, nëna e Pavarësisë tha se ajo pret që Kosova të zhvillohet dhe të përparojë edhe më shpejtë, për të pasur një ardhme më të mirë si për vajzën e saj ashtu edhe për fëmijët e tjerë.

“Kosova është duke shkuar dhe duke u ndërtuar mirë. Kjo po vërehet, por ky zhvillim po shkon shumë ngadalë. Po të ishte duke u zhvilluar si po rritet Pavarësia do të ishte shumë më mirë, sepse rritja e saj po vërehet çdo ditë”, tha Lumturija.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu