Nëse keni punuar 5 vite në Gjermani, ja sa pension mund të prisni

Sa pension merrni nëse keni punuar 5 apo 15 vite në Gjermani?

Nëse keni punuar në Gjermani dhe keni paguar kontribute në sigurimin pensional, shuma e pensionit varet drejtpërdrejt nga sa vite keni punuar dhe sa ka qenë paga juaj.

Për ta kuptuar më thjeshtë, po marrim si shembull një person që ka pasur pagë mesatare mujore në Gjermani.

Nëse keni punuar 5 vite

Në sistemin gjerman, për çdo vit me pagë mesatare fitoni 1 pikë pensioni.

Me 5 vite pune grumbulloni 5 pikë.

Vlera e një pike (nga korriku 2025) është 40,79 euro në muaj.

Pra:

5 × 40,79 € = 203,95 euro pension bruto në muaj

Kjo do të thotë se me vetëm 5 vite pune me pagë mesatare, pensioni do të ishte rreth 204 euro bruto në muaj.

Nëse keni punuar 15 vite

Me të njëjtën logjikë:

15 vite pune = 15 pikë pensioni

15 × 40,79 € = 611,85 euro pension bruto në muaj

Pra, me 15 vite pune me pagë mesatare, pensioni do të ishte rreth 612 euro bruto në muaj.

Në Gjermani, për çdo vit që fitoni sa paga mesatare bruto, ju takon një pikë pensioni (Entgeltpunkte). Për vitin 2025, paga mesatare bruto mujore është rreth 4.208 euro.

Nga 1 korriku 2025, vlera e një pike pensioni është 40,79 euro në muaj. Nëse paga juaj ka qenë më e lartë se mesatarja, do të merrni më shumë pikë dhe rrjedhimisht pension më të lartë. Nëse ka qenë më e ulët, edhe pensioni do të jetë më i vogël.

Duhet theksuar se në Gjermani nuk ekziston pension minimal ligjor. Për të përfituar pension pleqërie, duhet të keni paguar kontribute për të paktën pesë vite. Në rast se pensioni nuk i mbulon nevojat bazë, ekzistojnë mundësi për ndihmë sociale shtesë. Në faqen zyrtare të Sigurimit Pensional Gjerman gjendet edhe një kalkulator online për të llogaritur shumën e saktë të pensionit./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu