Afati ligjor për formimin e qeverisë është duke rrjedhur me shpejtësi marramendëse. Bisedimet për formimin e saj, sipas njoftimeve në kabinetin e BDI-së duhet që të nisin prej sot.
Ajo që habit opinionin e gjerë është retorika e kundërt e Nikolla Gruevskit dhe partisë së tij me platformën shqiptare dhe retorikën e subjekteve politike shqiptare. Kjo gjë e vë në pikëpyetje formimin e qeverisë së re me kryeministër Nikolla Gruevskin.
Janë shtuar zërat në opinion në mesin e intelektualëve shqiptar që të mos futet në koalicion me VMRO-DPMNE-në me asnjë çmim.
Por, çështja që ngel e hapur,pa përgjigje është se çka ndodh nëse Nikolla Gruevski nuk arrin që në afatin ligjor ta formoje qeverinë?
Analisti politik, Selim Ibraimi, në një prononcim për portalin Tetova1 thekson se nëse nuk arrihet që të formohet qeveria në kohë, atëherë mund që shumë shpejtë ta kemi trenin serb edhe në Maqedoni.
“Sipas njoftimeve këtë javë VMRO dhe BDI duhet ti fillojnë bisedimet zyrtare. Nëse nuk arrijnë të formojnë shumicën ,atëherë duhet mandatin t`ja dorëzojë partisë që tjetër që ka shumicën. Në rastin konkret, krijimi i shumicës parlamentare do të varret nga BDI dhe partitë nënshkruese të Platformës. Në rast se nuk do të kemi qeveri, atëherë kriza e demokracisë do të transferohet në rrafshe tjera dhe treni serb mund të bëhet realitet edhe në Maqedoni. VMRO dhe LSDM synojnë minimizimin e të drejtave të shqiptarëve dhe këtu është i gjithë problemi. LSDM nuk i qaset krizës si duhet. VMRO në shpinë e mban BDI dhe prej këtu kriza do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti. Nga një aspekt tjetër partitë e ish koalicionit ka gjasa të presin inagurimin e presidentit Tramp me idenë se ndoshta do ta ndryshojë qasjen ndaj Maqedonisë dhe kështu zvarritet formimi i qeverisë. Situata rajonale dhe e ajo që tentohet të krijohet në Maqedoni nuk shkon në favor të ndërtimit të shtetit ligjor, integrimit në BE dhe përmirësimit të raporteve shqiptaro-maqedonase. Kriza e bërjes së qeverisë do të manifestohet me tendenca të kundërta të partive politike nga çfarë BE ua ka vënë si kusht.”, deklaroi Ibraimi .
Përndryshe, afati i fundit për formimin e qeverisë është 20 ditë pas marrjes së mandatit ku në Parlament duhet paraqitur programi si dhe përbërja e qeverisë së re. Në raste normale nëse mandatori nuk arrin që ta fitoj shumicën në Parlament atëherë mandati i dorëzohet partisë së dytë që ka shumicën, por pasi që edhe presidenti i shtetit ka ditur që të bëje obstrukcione dhe lojëra në favor të krizës politike edhe kryeparlamentari Trajko Velanoski shkeli Kushtetutën dhe rregulloren, pritet që të bëhet interesant përfundimi i afatit.