Nevzat Bejta takon banorët e Ravenit, premton zhvillim dhe investime pas 11 janarit

Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, ka zhvilluar sot një takim me banorët e fshatit Raven, ku ka dëgjuar nga afër shqetësimet dhe kërkesat e tyre lidhur me gjendjen aktuale dhe mungesën e investimeve në vitet e fundit.

Gjatë bashkëbisedimit, banorët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për, siç thanë, neglizhencën komunale dhe mungesën e zhvillimit. Ata kanë kërkuar projekte konkrete dhe angazhim serioz për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës.

Bejta, nga ana e tij, prezantoi projektet që, sipas tij, do të realizohen me ardhjen e tij në krye të Komunës së Gostivarit, duke theksuar se zhvillimi i Ravenit do të jetë pjesë e prioriteteve të qeverisjes së tij lokale.

“Kemi një zotim të përbashkët që çdo projekt të realizohet në përputhje me kërkesat e qytetarëve”, u shpreh Bejta, duke shtuar se pas fitores së pritshme më 11 janar, komunën e presin shumë punë dhe investime të mira.

Takimi në Raven u cilësua si pjesë e angazhimit të tij për të qenë pranë qytetarëve dhe për të ndërtuar, siç tha, një qeverisje lokale që dëgjon dhe vepron.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu