Më 15 shkurt të këtij viti do të shpallet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e si pasojë e kësaj do të zbarkojnë 50 tanke të ardhura nga Serbia, përmes trenit i cili do të funksionohet në janar, ka thënë në një prononcim për Telegrafin, analisti nga Mitrovica, Nexhmedin Spahiu.
Spahiu tha se funksionimi i trenit është pozitiv, pasi do të shërbente për nevoja reale dhe praktike. Por, mendon se do të keqpërdoret për bartjen e tankeve.
“Në këtë mënyrë Kosova do të vihet para një akti të kryer që do të ketë pasoja të rënda në skenën ndërkombëtare”, ka thënë ai. “Dua t’ua tërheq vëmendjen strukturave të sigurisë së Kosovës, sepse është një situatë oportune politike ndërkombëtare, ku Serbia mund të marr hapa të tillë radikal për ta ndryshuar gjendjen në terren dhe pozitën e saj në dialog”.
Sipas tij, zgjidhja është e thjeshte për të mos lejuar që kjo gjë të ndodhë.
Ndryshe, mediat serbe – duke iu referuar një njoftimi të lëshuar nga i ashtuquajturi drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq – kanë raportuar se për Vitin e Ri serb do të fillojë qarkullimi i trenit në relacionin Beograd-Mitrovicë.