Edmilson beson se Neymar do ta zë vendin e Messit te Barcelona, nëse ai fokusohet në lojën e tij.
27-vjeçari, Neymar Junior, lidhet me një rikthim të mundshëm në Barcelonë.
Në vitin 2017, ai la Barçën për PSG-në për 222 milionë euro, por pas dy vitesh duket se i ka rënë pishman dhe dëshiron patjetër që ta veshë edhe njëherë fanellën e katalunasve.
Duke folur për Goal, 43-vjeçari Edmilson tha se do të ishte fantastike rikthimi i tij në Barcelonë pasi e sheh Neymarin si pasardhës të Lionel Messit, kur ky i fundit t’i varë atletet.
“Barça do të mendojë për pensionimin e Messit. Ka edhe disa vite për të luajtur, por në tri, katër apo pesë vite Neymar mund ta zë vendin e Messit”, tha Edmilson, që e ka veshur fanellën e Barcelonës për katër sezone.
“Neymar është lojtar i shkëlqyer, por ai duhet të ketë një mentalitet tjetër për të luajtur futbollin e tij. Ka pasur dy sezone të përziera me lëndime dhe nuk pati një Kupë të Botës të mirë. PSG ka fituar Ligën, por nuk janë këto vitet më të mira të Neymarit”.
Neymar për dy sezone te Parisi ka shënuar 51 gola në 58 paraqitje derisa ka dhuruar edhe 29 asiste.










