Njohësi i çështjeve politike Xhelal Neziri ka reaguar ndaj akuzave në opinion se Marrëveshja e Ohrit nuk është realizuar dhe nuk ka qenë e suksesshme.
Sipas Nezirit, nuk ka marrëveshje që mund të zgjidhë të gjitha problemet. Siç njofton InfoShqip, Neziri në profilin e tij në rrjetin social facebook ka theksuar se çdo sulm kundër Marrëveshjes së Ohrit është sulm i drejtpërdrejtë kundër paqes, meqë kjo marrëveshje ka parandaluar ndoshta një përsëritje të skenarit të ndodhive në Bosnje dhe Hercegovinë.
“U bë modë të nënçmohet Marrëveshja e Ohrit, të propozohen alternativa, të shpallet e vdekur…
Në radhë të parë, kjo është një mosmirënjohje ndaj përpjekjeve të faktorit ndërkombëtar (SHBA, BE, NATO, OSBE) për të parandaluar një luftë civile siç ishte parë në Bosnjë, gjë që fatmirësisht rezultoi me sukses.
Nuk ka marrëveshje që mund të zgjidhë të gjitha problemet, andaj edhe MO është vetëm një platformë e tejkalimit të tyre në mënyrë paqësore dhe të civilizuar. Përveç germës, çdo dokument i paqes ka frymën që duhet respektuar dhe leksionin që duhet mësuar.
Andaj, respektimi i MO është kultivimi i paqes dhe përparimit. Devalvimi, mosrespektimi, partizimi dhe përçmimi i saj është tentim për të minuar paqen,“-shkruan Neziri./ InfoShqip.com










