Nga fshehja e shtatzënisë tek netët pa gjumë me Lekën, Elia Zaharia zbulon si i ka ndryshuar jeta që është mama

Nuk është hera e parë që personazhe të njohura të showbiz-it shqiptar arrijnë të mbajnë fshehur nga publiku dhe mediet e ndryshme ngjarje të rëndësishme të jetës së tyre, por nëse do të na duhej të zgjidhnim më diskretët, e sigurt që Elia Zaharia dhe Princ Leka do të kryesonin listën.

Çifti mbretëror arriti të fshihte lajmin e pritjes së ëmbël deri më 22 tetor, data kur në media e rrjete sociale mori dhenë lajmi se ata ishin bërë prindër për herë të parë. Nuk vonoi shumë dhe u zbulua edhe emri i vogëlushes, Geraldina, në nderim të stërgjyshes së ndjerë. Së fundmi, çifti ka dhënë një intervistë ekskluzive për revistën “Who”,ku ndër të tjera kanë treguar si ka ndryshuar jeta e tyre, tanimë që janë bërë prindër.

Pyetjes pse vendosi të mos e bënte publike shtatzëninë, ishte karantina apo thjesht supersticioni që ia diktuan këtë gjë, ajo iu Elia iu përgjigj: “Mendoj që ishin të dyja bashkë. Nese nuk do kishte qenë mbyllja nga pandemia, shtatzënia do të më kishte gjetur në punë e sipër, të rrethuar me kolegë e miq dhe gjendja emocionale do ishte shumë më e stabilizuar. Ndërkohë përjetimi im i asaj periudhe që duhet të jetë nga më të bukurat në jetë, nuk ishte tamam ashtu.”

Ajo vijoi rrëfimin e saj, duke treguar se babi Leka është shumë i përkushtuar dhe i jep shumë dashuri dhe vëmendje vogëlushes. “Leka është shumë i përkushtuar dhe i jep shumë dashuri dhe vëmendje vogëlushes sonë. Natën ai zgjohet më lehtë se unë dhe është shumë i kthjellët. Unë dua pak më shumë kohë deri sa të më ikë përgjumja. Zakonisht është i qetë dhe nuk bën panik, por kujdesin e ka njësoj si unë. Kjo më jep shumë besim dhe qetësi, pasi e kam mbështetje në çdo moment. Jam shumë e lumtur për përkushtimin e tij, madje nuk e kam imagjinuar që do ishte kaq i dhënë pas vajzës.“-u shpreh ajo.

Gjithashtu, ajo u ndal tek banja e parë e princeshës Geraldina, një moment i vështirë për prindërit e rinj. “Banjën e parë ia kam bërë me mamin dhe tezen. Kisha pak drojë, por ia dolëm me sukses. Që në fillim u miqësua me ujin dhe tani banja është një rit i këndshëm për të dhe ne të gjithë! Tani bebushen e lan mami Elia dhe babi Leka. Jam me shumë fat që babi Leka është shumë i dhënë, investohet dhe kujdeset në përditshmëri. Të dy bashkë ndihmojmë njëri-tjetrin në këtë proces kaq të bukur dhe kompleks.”-përfundoi mamaja e re.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu