Nga gjimnazi në Kumanovë te Medreseja “Isa Beu”, Murtezi numëron sukseset e Lulzim Aliut

Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Bashkim Murtezi, ka numëruar disa nga suksese të cilat i ka arritur gjatë mandatit të tij, Lulzim Aliu, i cili sot njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i zv/ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

“Me ndjenjë të thellë respekti dhe mirënjohjeje, shpreh falënderimin tim të sinqertë për angazhimin, korrektësinë dhe profesionalizmin e dëshmuar gjatë ushtrimit të detyrës suaj si zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës.

Përfaqësimi juaj ka qenë gjithmonë dinjitoz, i përgjegjshëm dhe në shërbim të interesit publik.

Gjatë veprimit tuaj në MASH, nga pozita e zëvendësit, arritët të realizoni disa projekte vitale për shqiptarët, që do të mbajnë vulën tuaj dhe do të mbeten dëshmi e punës së bërë me përkushtim, siç janë:

– Ndërtimi i Gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë, një problem mbi 20-vjeçar për shqiptarët;
– Hapja e shkollës shqipe në Çashkë;
– Ndërtimi i objektit shkollor në Nerovë;
– Mëvetësimi dhe emërtimi i shkollës “Azem Morana” në f. Moranë;
– Legalizimi i Medresesë “Isa Beu” me ligj të veçantë;
– Angazhimi për ndërtimin e kampusit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup
Këto janë arritje konkrete që u dhanë zgjidhje çështjeve që me vite i tangonin shqiptarët.

Dorëheqja juaj përmbyll një kapitull të rëndësishëm institucional, por jo edhe kontributin dhe vlerën që keni dhënë. Përkushtimi, këmbëngulja dhe ndjeshmëria juaj ndaj çështjeve arsimore dhe kombëtare mbeten shembull i përgjegjësisë publike dhe shërbimit me ndërgjegje.

Ju falënderojmë sinqerisht për gjithçka që keni bërë dhe ju urojmë shëndet, suksese dhe mbarësi në çdo rrugëtim të ardhshëm!”, ka shkruar Murtezi. /Televizioni Festa/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu