Nga kabineti i Thaçit tregojnë se cilat tema do të diskutohen në Shtëpinë e Bardhë

Zgjidhja e problemeve ekonomike, heqja e barrierave tregtare, lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave, si dhe investimet në infrastrukturën rajonale, do të jenë temat kryesore të bisedimeve ndërmjet Kosoëvs dhe Serbisë, në takimin në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, të paralajmëruar për 27 qershor, konfirmojnë zyrtarët e Zyrës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Shefi i kabinetit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe këshilltari i tij kryesor, Bekim Çollaku, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë së delegacioni i Kosovës, tashmë është përgatitur për këtë takim.

“Delegacioni i Republikës së Kosovës vjen i përgatitur që të diskutojë për këto çështje, por edhe për çështjet tjera që mund të ngriten në takim“, ka thënë Çollaku.

Delegacionin e Kosovës e përbëjnë presidenti Thaçi dhe kryeministri i sapozgjedhur i vendit, Avdullah Hoti. Pala serbe ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht se kush do të jetë në delegacionin e saj.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë do të mbahet nën organizimin e të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, pas marrjes së garancive se të dyja palët janë pajtuar që të ndalohen fushata për tërheqjen e njohjeve për Kosovën dhe të ndalohet me kërkesat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

I emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, njoftoi se qeveritë e këtyre dy vendeve janë pajtuar që të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.

Grenell gjithashtu ka thënë që takimi në Shtëpinë e Bardhë është rast që t’i hapen dyert zhvillimit ekonomik dhe investimeve dhe se shpreson që krerët e Kosovës dhe të Serbisë do ta shfrytëzojnë këtë rast për kthim në dialog.

Çollaku thekson që ky takim është një mundësi e jashtëzakonshme që palët t’u rikthehen negociatave për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura ndërmjet dy shteteve. Ai ka shtuar se në këtë fazë, gjëja më e rëndësishme është rifillimi i dialogut me ndërmjetësimin e të ngarkuarit special të presidentit amerikan, Donald Trump, ambasadorit Grenell.

“Pra, lajmi thelbësor pozitiv ështe se dialogu po rifillon në Uashington pas një pauze pothuaj dy-vjeçare. Prandaj, ky takim konsiderohet sukses në vete pavarësisht rezultatit konkret”, ka thënë Çollaku.

Vet Grenell, më 15 qershor, përmes një shkrimi në Twitter, ka porositur që në qoftë se ndonjëra palë do të jetë e pakënqur me bisedimet e 27 qershorit, ‘mund të kthehet në status quo, pas largimit nga Uashingtoni”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të dielën, ka deklaruar që lidhur me çështjen e Kosovës pret „ditë dhe javë të vështira“.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian, është ndërprerë në nëntor të vitit 2018, pasi që Kosova kishte vendosur taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë, si përgjigje ndaj fushatës së shtetit serb ndaj pavarësisë së Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu