Nga “magjitë” e Messit te idhujt e tij dhe miqësia me Neymar! Arthur i tregon të gjitha

Arthur Melo ka dhënë një intervistë për “Globo Esporte”, në të cilën rishikoi karrierën e tij sportive të deritanishme. Mesfushori tregoi me emocion fëmijërinë dhe se si stërvitej në oborrin e shtëpisë së tij, duke ëndërruar të ishte në të ardhmen një Xavi, ose Iniesta. Ai, gjithashtu, shprehu kënaqësinë e stërvitjes së përditshme me Leo Messin, si dhe shpjegoi miqësinë që ka me Neymar:

“Babai im më thoshte që fëmijë se duhet të shënoja sa më shumë gola, por nuk më pëlqente të luaja në sulm. Gjithmonë e kam parë mesfushën si një pjesë themelore. Mesfushori e merr topin nga mbrojtja, e kalon në pjesën e përparme dhe organizon lojën. Unë kam një dashuri të veçantë për topin, çdo gjë bëhet më e lehtë kur vjen puna te pasimet.

Leo Messi? Dy gjëra më kanë tërhequr vëmendjen tek ai. Së pari, mënyra e tij si njeri, nuk e dija se si ishte personalisht, çfarë bënte, cilësitë, defektet, si sillet më të tjerët dhe si përballet me përgjegjësinë e yllit të skuadrës. Së dyti, pashë nga afër pse është më i miri në botë, në mënyrë të pakontestueshme. Trajnimin e parë me Barcelonën pashë atë që ai bën, diçka e pabesueshme. Stërvitjen e dytë kuptova si ka arritur të jetë më i miri. Në çdo stërvitje ai është mbresëlënës, në çdo ndeshje të befason.

Idhulli? Në kohën time ishte Ronaldinho, Messi ishte tashmë një yll, por kam shikuar shumë Xavi dhe Iniesta, në rrugën time për t’u bërë futbollist. Ata ishin mesfushorët më të mirë në botë, për lojën e thjeshtë, por tepër efikase. Ata të dy i kam admiruar. Më pëlqen që më krahasojnë me ta, kjo më bën të shoh prapa dhe t’i falënderoj të gjithë ata, që më ndihmuan. Në të vërtetë, unë mendoj se loja ime ngjason më shumë me atë të Xavi. Natyrisht, kam shumë për t’u përmirësuar, për shkak të moshës sime.

Miqësia me Neymar? Është një nga njerëzit, që duhet ta falënderoj. E kam admiruar atë si profesionist. Që kur jam bërë pjesë e kombëtares së Brazilit pashë si i ndihmonte të gjithë. Trajneri Tite i dha besimin si kapiten dhe gjithmonë merr përgjegjësitë. Personalisht kam pasur afrimitet të madh me Neymar, jemi miq të mëdhenj”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu