Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë për media gjatë ditës së djeshme ka prezantuar masat e reja ndaj koronavirusi, ku nga nesër qytetarët e Kosovës do të kenë të drejtë të lëvizin 24 orë si dhe qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen masës së vetizolimit për shtatë ditë.
“Me hapjen e kufijve, IKSHPK rekomandon kontrollin e detajuar për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Kosovë, duke marrë shënime të sakta të vend qëndrimit të tyre, numrin e telefonit, dhe përcjelljen e gjendjes së tyre klinike nga QKMF. Kontrolli i detajuar kryhet sipas udhëzuesve të OBSH’së, që konsiston në matjen e temperaturës, shenjat dhe simptomat klinike si dhe kontaktet eventuale të dy javëve të fundit me persona pozitiv ose të dyshimtë për COVID-19″, ka thënë Zemaj.
“Nga e hëna, qytetarët të cilët hyjnë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen masës së vetizolimit për shtatë ditë, ndërsa në vend të testimit të obliguar për COVID-19, për ata që hyjnë do të jenë kontrollat nga ekipet mjekësore në pikat kufitare”, tha ai.
Zemaj tha se bazuar në situatën epidemiologjike, Ministria e Shëndetësisë do të lejojë liri të plotë të qytetarëve dhe mallrave në veçanti me Shqipërinë.
“Bazuar në situatën epidemiologjike MSH dhe Qeveria e Kosovës do të mundësoj liri të plotë të qarkullim të mallrave në veçanti me shtetin e Shqipërisë”, është shprehur Zemaj.
Gjithashtu është shprehur se është hequr kufizimi i lirisë së lëvizjes së qytetarë të Kosovës, kjo masë hynë në fuqi nga dita e hënë.
“Nga dita e hënë hiqet kufizimi i lëvizjes nga ora 21:00 deri në orën 05:00”, ka thënë Zemaj.










