Nga Sofja paralajmërime për zhbllokim të rrugës evropiane të RMV, për Poloninë nuk ka dilemë se meritojmë fillim të negociatave me BE-në

Presidenti bullgar Rimen Radevi dje në Bruksel deklaroi se pret që në gjysmën e dytë të qershorit të ketë progres për çështjen rreth rrugës evropiane dhe fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE, derisa në të njëjtën kohë nga Varshava ministri polak i Punëve të Jashtme Zbignjev Rau porositi se për Poloninë nuk ka dilemë se vendi meriton të fillojë negociata me BE-në.

Radevi në Bruksel, ku mori pjesë në Samitin e Unionit, theksoi se pret që në gjysmën e dytë të qershorit të ketë progres lidhur me çështjen për rrugën evropiane dhe fillim të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE, por dialogu në nivel më të lartë pune midis Sofjes dhe Shkupit duhet të vazhdojë sa është e mundur më shpejt.

“Unë shumë qartë e tregova pozicionin bullgar. Bullgaria është mbështetësi më i fortë i perspektivës evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Bullgaria është miku më i madh i Republikës së Maqedonisë së Veriut, por rruga deri te perspektiva evropiane kalon kryesisht përmes Sofjes dhe kjo duhet të jetë e qartë”, ka thënë Radevi, ku mori pjesë në Samitin e Unionit.

Sipas presidentit bullgar, siç njofton BGNES, udhëheqësia politike e vendit “duhet të nxitet të kërkojë dialog” me Bullgarinë.

Po, mbështetja e BE-së është me rëndësi, por më me rëndësi është mbështetja e Bullgarisë dhe që të ndodhë kjo duhet të ulemi qetësisht dhe sinqerisht në tryezë dhe të precizojmë të gjitha problemet mes nesh dhe si të zgjidhen. Ne duam të shohim proces të qëndrueshëm dhe të pakthyeshëm, jo vetëm deklarata”, ka shtuar Radevi.

Në të njëjtën kohë, ministri i ri bullgar i Punëve të Jashtme Svetlan Stoev paralajmëroi se prioriteti i tij i parë do të jetë kthimi i besimit dhe intensifikimi i dialogut dypalësh midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Ne jemi të hapur për dialog. Ajo që nevojitet është qëndrueshmëria, qëndrimi konstruktiv në dialog dhe mund të them se qëllimi është të arrihen rezultate të qëndrueshme dhe rezultate të pakthyeshme në vendosjen e besimit midis të dyja vendeve”, tha Stoevi.

Ai theksoi se politika bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut është e qëndrueshme dhe se propozojnë thellim dhe rifillim të dialogut dhe kjo do të jetë perspektivë dykahëshe.

Shefi i diplomacisë polake Rau, në takim me ministrin Bujar Osmanin e riafirmoi mbështetjen e fuqishme të Polonisë për fillimin pa vonesë të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe deklaroi se ekziston konsensus i qartë rreth kësaj çështjeje edhe në nivel të grupit të Vishegradit, me të cilin Polonia kryeson deri më 30 qershor të këtij viti.

Ai theksoi se në diskutim për zgjerim të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa në ato korniza edhe të Maqedonisë së Veriut, Polonia është në radhët e para të mbështetësve për inkuadrim të vendit.

Osmani, deklaroi se vendi vazhdon të punojë me një ritëm edhe më të përforcuar të agjendës reformuese, duke vënë theks në realizimin e planit të veprimit për bashkëpunim multisektorial dhe tejkalimin e dallimeve ekzistuese me Bullgarinë.

Duhet të theksoj se integrimi evropian ka ndikim pozitiv në procesin e shndërrimit të shoqërisë sonë, ndërsa mbi të gjitha paraqet edhe investim të përhershëm në paqe dhe stabilitet të Ballkanit Perëndimor, ndërsa me këtë edhe të gjithë Evropës dhe është në interes të të gjitha vendeve anëtare individualisht”, theksoi Osmani.

Paraprakisht Osmani në emisionin në “Klik Plus” në TV21 deklaroi se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian kalon përmes Bullgarisë pa miratimin e së cilës nuk mund të fillojnë negociatat inkuadruese, por se Sofja nuk duhet ta lëshojë këtë mundësi nëse dëshiron Ballkan të qëndrueshëm.

Megjithatë, sipas tij, Bullgaria nuk duhet ta lëshojë mundësinë e samitit e qershorit të BE-së që t’i miratohet vendit që t’i fillojë negociatat për anëtarësim, nëse dëshiron Ballkan të qëndrueshëm.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu