Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, zbardhi sot detaje tronditëse rreth vdekjes së një gruaje dhe vajzës së saj 10-vjeçare në lagjen Karposh të Shkupi, duke konfirmuar se policia kishte ndërhyrë për një debat familjar vetëm dy orë përpara tragjedisë.
Sipas Toshkovskit, autoritetet ishin njoftuar rreth orës 12:05 për një konflikt mes bashkëshortëve, por viktima kishte deklaruar para oficerëve se bëhej fjalë për një mosmarrëveshje që po zgjidhej përmes procesit të divorcit, duke refuzuar të niste procedim penal.
Ngjarja mori përmasa fatale rreth orës 14:00, kur nëna dhe vajza ranë nga kati i gjashtë i banesës ku ishin mbyllur nga brenda, ndërsa policia ka vënë në pranga bashkëshortin, Stojançe Jovanovski, një person me precedentë të theksuar kriminalë.
Ministri bëri të ditur se kundër tij ishin ngritur 10 kallëzime penale në dy vitet e fundit për vepra që përfshijnë dhunën, vjedhjen dhe trafikun e drogës, ndërsa gjatë viteve 2025-2026 janë regjistruar raportime të vazhdueshme për raporte të prishura bashkëshortore, deponime nga të cilat viktima ishte tërhequr vazhdimisht.
Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka urdhëruar autopsinë e trupave dhe sekuestrimin e provave materiale, përfshirë telefonat celularë dhe pamjet e kamerave të sigurisë, ndërkohë që hetimet po përqendrohen në ekzistencën e mundshme të përgjegjësisë penale që çoi në këtë akt tragjik që ka tronditur opinionin publik në Maqedoninë e Veriut.










