Nisma nuk e kaloi pragun, vjen reagimi i parë

Kandidati për deputet nga Nisma Socialdemokrate, Endrit Shala ka reaguar pasi partia nga e cila vjen ai, nuk ka arritur të kaloj pragun.

Ai ka thënë se pavarësisht rezultatit, ata e kanë bërë këtë rrugë drejt, me nder dhe me përgjegjësi.

“Ne hymë në këtë garë me një bindje të qartë: se përballë kësaj qeverisjeje nuk mjafton secili veç e veç. Kërkuam bashkim, kërkuam pjekuri dhe një qasje më të gjerë për interesin e Kosovës. Ky bashkim nuk u arrit. Jo sepse ishte i gabuar, por sepse ende nuk u kuptua plotësisht sa i domosdoshëm është”, ka thënë Shala.

Ai ka thënë se pa një rreshtim të vërtetë të forcave që ndajnë të njëjtin vizion për shtetin, ndryshimi mbetet i vështirë.

“Megjithatë, ne nuk kemi arsye të ulim kokën. Sepse nuk u tërhoqëm, nuk u fshehëm dhe nuk u dorëzuam. Çdo votë që na u dha është përgjegjësi, dhe çdo besim i qytetarëve është amanet. Ne mbetemi aty ku kemi qenë gjithmonë: Me këtë rrugë politike, me Fatmir Limajn dhe me njerëzit që besojnë se politika bëhet me qëndrueshmëri, e jo me kalkulime të momentit”, ka thënë Shala.

Ai ka thënë se nuk është fundi i rrugës.

“Është një dëshmi se Kosova ka nevojë për më shumë vetëdije, më shumë bashkim dhe më pak ego. Ne vazhdojmë. Me kokën lart. Me qetësi. Me vepra. Sepse rrugët e drejta nuk maten vetëm me një rezultat, por me mënyrën si qëndrohet në to”, ka shtuar Shala ndër të tjera.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu