Mëngjesin e djeshëm qytetarët e Tiranës u zgjuan me pamje shqetësuese kur panë se ndërtesa e Teatrit Kombëtar ishte shembur.
Kjo u bë me vendim të Qeverisë së Edi Ramës, ndonëse për disa vite artistë të shumtë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile e kundërshtuan një veprim të tillë.
E një ditë pas këtij veprimi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, publikoi në faqen e tij në “Facebook” pamjet se si do të duket ndërtesa e re e Teatrit.
Ai tha se projektideja e Teatrit të ri Kombëtar është konceptuar nga arkitekti i famshëm danez Bjarke Ingels.
”Duke ju uruar një javë të mbarë, dua gjithashtu t’ju siguroj se Teatri i ri Kombëtar do të ketë nesër pëlqimin e të gjithëve, qoftë të të shumtëve që kërkojnë sot dhe qoftë të të paktëve që sot nuk shohin më larg se dje…”, tha mes të tjerash Rama,
Ai akuzoi kundërshtuesit e rrënimit të objektit të vjetër të Teatrit se po “përbaltin” e po masakrojnë” idetë ende pa nisur puna.
“Përvoja na mësoi se ashtu si me vepra të tjera publike, të përbaltura e të masakruara pa nisur akoma puna, nga të njëjtët ngatërrestarë profesionistë, edhe për këtë projekt të vonuar me dhjetëra e dhjetëra vite do të flasë vetë vepra e përfunduar, e cila do t’i japë komunitetit teatror skenën dinjitoze kombëtare, që nuk e pati kurrë; publikut shqiptar Teatrin Kombëtar që nuk u ndërtua kurrë; Tiranës e Shqipërisë së gjeneratave të tjera një tjetër destinacion kulturor të përmasave evropiane në çdo aspekt”, përfundoi Rama.
Gjatë tërë ditës së djeshme qytetarë të shumtë protestuan para ndërtesës tashmë të shembur të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë. Pati edhe shumë të arrestuar.
Ndërkaq edhe në Kosovë pati solidarizim me protestuesit. Në Prishtinë disa qytetarë u mblodhën në shesh për ta kundërshtuar rrënimin e Teatrit. Po ashtu edhe shfaqjet e planifikuara për t’u transmetuar online ditën e djeshme nga Teatri Kombëtar i Kosovës janë anuluar.










