Udhëheqësit izraelitë e kanë vajtuar vrasjen e aktivistit konservator amerikan, Charlie Kirk, i cili njihej edhe si mbrojtës i Izraelit.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e quajti Kirkun “mik zemërluan i Izraelit” dhe tha se kishte biseduar me të para dy javësh dhe e kishte ftuar për vizitë në Izrael, raporton televizioni CNN.
“Për fat të keq, ajo vizitë nuk do të ndodhë” – shkroi Netanyahu në rrjetin X, duke shtuar: “Ne humbëm një qenie njerëzore të jashtëzakonshme.”
I biri i kryeministrit izraelit, Yair Netanyahu, tha në rrjetin X se ai kishte ngrënë drekë me Kirkun dhe gruan e tij Erika në Jerusalem para disa vjetësh.
“Charlie që e takova unë ishte aq i ri, por prapëseprapë i zgjuar përtej moshës së tij. E takova dikë me njohuri të thella për historinë dhe gjeopolitikën – dikë që e kuptonte rëndësinë e Izraelit për Amerikën, për njerëzit e krishterë dhe për besimin e krishterë” – shkroi Yarii, duke publikuar një fotografi të aktivistit amerikan duke e mbajtur në dorë flamurin e Izraelit.
Edhe Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, e vajtoi vrasjen e aktivistit amerikan përmes një shkrimi në rrjetin X, duke e quajtur “mik të jashtëzakonshëm të Izraelit” dhe “luftëtar të patrembur për të vërtetën dhe lirinë”.
Charlie Kirk u qëllua me armë të mërkurën gjatë një tubimi. Policia amerikane ende është duke e kërkuar të dyshuarin, pasi dy njerëz të arrestuar më herët janë liruar, pasi nuk kishin lidhje me incidentin, thanë autoritetet amerikane.