Krijuesi i ChatGPT ka publikuar një shpallje për një vend të ri pune me pagë vjetore prej 470 mijë eurosh.
Bëhet fjalë për pozicionin e “përgjegjësit për gatishmërinë” në OpenAI, i cili do të ketë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për mbrojtjen nga rreziqet që lidhen me fuqizimin e vazhdueshëm të inteligjencës artificiale, përfshirë ndikimin në shëndetin mendor të njerëzve, sigurinë kibernetike dhe armët biologjike.
“Kjo do të jetë një punë stresuese dhe do të gjendeni menjëherë në një pozicion të vështirë”, deklaroi CEO i OpenAI, Sam Altman, sipas Guardian.
Personi që do të marrë këtë pozicion do të jetë përgjegjës për vlerësimin dhe zbutjen e kërcënimeve në zhvillim, si edhe për “monitorimin dhe përgatitjen ndaj aftësive novatore që krijojnë rreziqe të reja për dëme serioze”.
Sipas raportimit, punonjësit e mëparshëm në këtë rol kanë qëndruar për periudha të shkurtra kohe.
Ky pozicion u krijua në një kohë kur industria e inteligjencës artificiale po lëshon paralajmërime të vazhdueshme për rreziqet që shoqërojnë rritjen e shpejtë të këtij sektori.










