Kryebashkiakja ende në detyrë e Shkodrës, Voltana Ademi, ka takuar sot ambasadorin e Italisë në vendin tonë, Alberto Cutillo.
Lajmin të ditur e ka bërë vetë Ademi, përmes një statusi në ‘Facebook’ , ku shprehet se ky takim vjen pas letrës që ajo u dërgoi disa ditë më parë drejtuar ambasadorëve të huaj në Tiranë.
Kryebashkiakja u kërkoi të ngrenë një përfaqësi ndërkombëtare për të qeverisur Shkodrën.
‘Falenderoj përzemërsisht Ambasadorin e Republikës së Italisë në vendin tone SHT Z. Alberto CUTILLO për përgjigjen ndaj letrës që unë, si kryetare e Bashkisë dhe qytetare e Shkodrës, i dërgova si përfaqësues i një vendi mik dhe me lidhje të ndërsjellta shekullore.
Në Ambasadën e Republikës së Italisë me Z. Ambasador, bashkë me kolegët z. Agron Kapllanaj kryetar i Bashkisë Mallakastër dhe z. Xhelal Mziu, kryetar i Bashkisë Kamëz, zhvilluam një bisedë tejet konstruktive, ku përcollëm të gjitha shqetësimet tona tashmë të njohura e publike. Gjetëm vëmendjen e tij të plotë për çfarë diskutuam dhe çeshtjet e rëndësishme që ngritëm për funksionimin normal të sistemit demokratik në përgjithësi dhe të qeverisjes vendore në veçanti’, shkruan Ademi.