Trajneri i Brazilit, Tite, beson se Neymar po e luan si duhet rolin e tij si kapiten i ekipit kombëtar. Një tjetër imazh po krijohet për sulmuesin e PSG-së, që gjatë Kupës së Botës së Rusisë u kritikua gjerësisht për simulime.
Megjithatë, sipas trajnerit brazilian, lojtari më i shtrenjtë në botë po zhvillohet dhe po kthehet në një lider. “Shiriti i kapitenit nuk është një çmim, është përgjegjësi. Kam dashur që ai të jetë më i hapur me shtypin dhe të rritet. Jam i lumtur me mënyrën se si po i përballon gjërat, – tha Tite.
– Në dhomën e zhveshjes është një nga personazhet, në fushë është lider. Ditën kur dha konferencën për shtyp erdhi me djalin e tij, çka nuk ishte e detyruar. Mendoj se e bëri këtë për të treguar se ka edhe një anë njerëzore, përveçse futbollist. Kjo është e rëndësishme për një kapiten, mënyra se si projektohet si i tillë. Unë mendoj se në këtë rol ka qenë i suksesshëm deri më tani”.
Ndërkohë, përpara miqësores së Brazilit kundër Kamerunit, Tite konfirmoi se Roberto Firmino do të luajë titullar, përpara Gabriel Jezus. Pavarësisht nga fitorja e së premtes së kaluar në Uruguaj, Firmino ka qenë kryesisht opsioni i dytë, teksa 17 nga 28 paraqitjet e tij për “Selecao” i ka nisur nga stoli.
Me afrimin e “Copa America”, megjithatë, 27-vjeçari duket se do të luajë një rol më të madh në kombëtare. “Roberto Firmino është ende një lojtar i ri në ekipin kombëtar. Kësisoji, e shoh gjë të drejtë që t’i japin atij shanse për t’u mësuar në atë rol dhe për të krijuar mirëkuptimin e duhur me lojtarët përreth tij”, – shtoi Tite.










