Kosova dhe Izraeli sot kanë formalizuar marrëdhënien e tyre diplomatike. Ministrja e Jashtme në detyrë në Kosovë, Meliza Haradinaj Stublla në ceremoninë e formalizimit të marrëveshjes u shpreh se kjo është një nga arritjet më të mëdha për Kosovën.
“Njohja nga Izraeli është ndër arritjet më të mëdha për Republikën e Kosovës e cila është bërë e mundur falë mikut e aleatit tonë të përjetshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky moment tejet i rëndësishme për ne, është përjetësim i miqësisë së gjatë, mes popujve tanë, që tani po kurorëzohet me lidhjen e marrëdhënieve diplomatike”, u shpreh ministrja në detyrë.
Haradinaj për këtë marrëveshje falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen dhe mundësinë për krijimin e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit. Më tej theksoi se marrëdhënia mes dy vendeve nuk do të prishet asnjëherë pasi çdoherë ka qenë e mirë.
“Duke nënshkruar këtë marrëveshje, kjo hap një horizont të ri. Sot e kemi shkruar me shkronja të arta për një të ardhmen më të mirë”, shtoi Haradinaj Stublla.









