Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Pejë që drejtohet nga Gazmend Muhaxheri ka reaguar për zhvillimet e fundit në këtë parti, si dhe paralajmërimin e dorëheqjes nga kryesia dhe kryetari Isa Mustafa.
LDK në Pejë përmes një komunikate ka thënë se kjo parti pavarësisht rrethanave duhet të vazhdojë që t’i ruajë vlerat dhe parimet demokratike.
Kryesia e kësaj dege thotë se do të mbështesë të gjitha nismat të cilat mundësojnë një garë demokratike, me konkurrencë të barabartë, me më shumë se një kandidat, të cilët do t’i nënshtrohen votimit të fshehtë.
Komunikata e plotë:
“Nga Mbledhja e Kryesisë së LDK-së – Pejë, Datë: 22 shkurt 2021
Në mbledhjen e rregullt, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dega e Pejës, të mbajtur më 22 shkurt 2021, në cilën mori pjesë shumica absolute e anëtarëve të Kryesisë, u diskutua për rezultatin e zgjedhjeve, si dhe për propozimin për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme partiake. Pas diskutimeve të të gjithë anëtarëve të Kryesisë, me qëllim që të jemi kontribues për një proces demokratik, Kryesia u pajtua për të lëshuar këtë:
DEKLARATË
Pavarësisht rrethanave specifike në të cilat ndodhet tani, Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti e cila gjithmonë e ka pasur rolin kryesor të shtetndërtimit dhe të ndërtimit të demokracisë, duhet të vazhdoj pa asnjë dilemë t’i ruajë vlerat dhe parimet demokratike, të cilat janë themel i organizimit të partisë dhe i funksionimit të shoqërisë sonë.
Kryesia e LDK-së në Pejë mbështet propozimin e udhëheqjes së partisë për mbajtjen e Kuvendit të Parakohshëm Zgjedhor, në të cili do të zgjedhen strukturat e reja drejtuese të partisë.
Kryesia e LDK-së në Pejë do të japë kontributin e vet aktiv me 30 delegatët e zgjedhur në Kuvendin Zgjedhor të datës 6 korrik 2019.
Kryesia e LDK-së do të mbështesë të gjitha nismat të cilat mundësojnë një garë demokratike, me konkurrencë të barabartë, me më shumë se një kandidat, të cilët do t’i nënshtrohen votimit të fshehtë“- thuhet te komunikata.









