
Presidenca e Kosovës ka konfirmuar për RTK se ka pranuar një e-mail kërcënues të drejtuar ndaj Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani.
E-maili është dërguar në adresën zyrtare të Presidencës dhe përmban gjuhë fyese e kërcënuese, duke përfshirë etiketime si “kriminele”, “ordinere” dhe “antikushtetuese”, si dhe kërcënime serioze për jetën e Presidentes.
Zyrtarët e Presidencës kanë bërë të ditur se rasti është raportuar menjëherë te organet kompetente për hetim të mëtejshëm.
Sipas të njëjtave burime, kjo nuk është hera e parë që dërgohen mesazhe të tilla kërcënuese – me dhjetëra raste të ngjashme janë raportuar më parë.
Në foton e mëposhtme mund të shihni mesazhin e dërguar në drejtim të adresës elektronike të presidencës.
Këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina pas kërcënimit që mori presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se kërcënuesit nuk po përballen me drejtësinë. Kupina tha se kërcënimi i kësaj jave është vazhdimësi e kërcënimeve të vazhdueshme me jetë ndaj Presidentes Osmani.
“Kërcënimi i kësaj jave është vazhdimësi e kërcënimeve të vazhdueshme me jetë ndaj Presidentes Osmani. Çfarë i bashkon të gjitha? Mosveprimi i institucioneve të drejtësisë. Përkundër dhjetëra kërcënimeve — shumica prej tyre kërcënime me jetë — asnjë veprim nuk është ndërmarrë ndaj kërcënuesve për vite me radhë. Kjo, edhe pse në shumicën e rasteve, kërcënimet bëhen me emër, mbiemër dhe nga profile të identifikueshme. Disa kërcënime janë bërë madje edhe në emisione televizive, por edhe atëherë kanë munguar veprimet për t’i përballur kërcënuesit me përgjegjësi”, tha Kupina.
Ai shtoi se kjo klimë e rrezikshme nxit të tjerët të ndjekin të njëjtin model të dhunës.