Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor përkrah liderëve të vendeve anëtare të BE-së, si dhe atyre nga Ballkani Perëndimor që do të mbahet sot në Bruksel.
Në këtë samit do të diskutohet partneriteti BE-Ballkan, me theks të veçantë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe avancimin e perspektivës evropiane të rajonit.
Osmani para nisjes së samitit tha se Kosova synon të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
“Në fakt, si vend, si komb ne kemi kontribuuar në vlerat për të cilat qëndron BE-ja me shekuj. Ne besojmë fuqishëm se derisa është një proces kompleks nëse merren për bazë kriteret e bazuara në meritë, Kosova do të ishte liderë. Por është më e komplikuar në rastin tonë për shkak të pesë shteteve mosnjohëse, të cilat besojmë që do ta kuptojnë që të pasurit Kosovën si vend anëtar të BE-së nuk është vetëm në të mirën e popullit të Kosovës por është nevojë strategjike dhe nevojë e sigurisë për gjithë kontinentin”, ka thënë ajo në një paraqitje në Euronews.
Osmani ka shtuar se ajo se çfarë BE-ja thotë për progresin e Kosovës është momentalisht në rreshtim 100 për qind me politikën e jashtme dhe me rregullat e sigurisë të BE-së dhe çdo vendim në këtë fushë është në linjë me BE-në. Ajo ka përmendur sanksionet ndaj Rusisë apo edhe kundërshtarët tjerë në botën perëndimore.










