Osmani: Më 14 shkurt, do t’ju japim pensionimin politik atyre që thonë se qytetari nuk vendos

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, si dhe disa kandidatë për deputetë kanë vendosur që ditën e fundit të fushatës ta kalojnë në kryeqytet, duke mbajtur një tubim politik në sheshin ‘Nëna Terezë’.

Osmani tha që përgjatë fushatës zgjedhore kanë marrë mbështetje shumë të madhe nga qytetarët.

“Nuk ka asgjë më të mirë e më të ngrohtë sesa entuziazmi, vullneti e dashuria që e kemi marrë nga secili prej jush anë e kënd Kosovës. Dhe porosia që e kemi marrë kudo që kemi shkuar është 127. Vota për 127, është votë kundër korrupsionit, kundër kapësve të shtetit. Dhe nga këtu e kemi një mesazh për kapsit e shtetit, hapni rrugë se ndryshimi po vjen”, tha ajo.

Osmani tha se qeveria Kurti e dytë, nuk do qeverisë 52 ditë por 4 vite të plota.

“Më 14 shkurt, do t’ju japim pensionimin politik atyre që thonë se qytetari nuk vendos, le të shohin tash se kush ka me vendos. Pas 14 shkurtit Kosovës sonë të dashur do ta japim qeverinë e shpresës, por kësaj radhe jo për 52 ditë, por për katër vjet të plota, sepse ashtu do të jetë vullneti juaj”, shtoi ajo.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti i cili synon që edhe një herë të zgjidhet kryeministër kërkoi nga qytetarët që masovisht të votojnë partinë e tij për t’ia siguruar shumicën në Kuvend.

“Për ta bërë ndryshimin duhet ta sigurojmë shumicën parlamentare të nevojshme sepse nuk duhet të lejojmë që të na përsëritet 25 marsi i vitit 2020 kur u rrëzua qeveria në kulmin e pandemisë në njërën anë dhe në kulmin e punëve të mira në anën tjetër. Këtë nuk do ta lejojmë. Të dalim masivisht në zgjedhje dhe të vendosim krejt për numrin 127”, ka thënë Kurti.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 14 shkurt, të dielën.

Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lista e Vjosa Osmanit do të garojnë në një listë të përbashkët. Kandidat për kryeministër nga LV është Albin Kurti ani pse nuk u certifikua si kandidat për deputet. Ndërsa Vjosa Osmani nga bashkëpunimi më LVV-në synon postin e presidentes së vendit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu