Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për të cilin ka shkruar se është lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë, në çdo sfidë e në çdo sukses.
Osmani ka shkruar në Facebook se ai është një zë i fuqishëm i miqësisë dhe vizionit të përbashkët.
“Një mik i dëshmuar i Kosovës, një zë i fuqishëm për të drejtën tonë, dhe një shtyllë e fortë mbështetjeje në çdo etapë të shtetndërtimit tonë. Turqia është dhe do të mbetet një partner kyç për paqen, sigurinë dhe zhvillimin rajonal. Marrëdhëniet tona janë më shumë se miqësi, janë një partneritet i ndërtuar mbi besim, respekt dhe vizion të përbashkët për të ardhmen”, ka shkruar ajo.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, po qëndron në Turqi për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë.
Forumi i këtij viti, me temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, synon t`i adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst të polarizuar global, duke vënë theksin në nevojën që diplomacia ta rifitojë rolin e saj si forcë stabilizuese dhe ndërtuese e paqes.
Presidentja Osmani në Forumin e Antalisë, do ta ketë një bashkëbisedim në temën boshte të edicionit të këtij viti për rikthimin e diplomacisë në një botë të fragmentuar.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë punimeve të Forumit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Forumi Diplomatik i Antalisë është një platformë e nivelit të lartë, që mbledh liderë shtetesh, diplomatë të rangut të lartë dhe ekspertë nga mbarë bota, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.