Deputetët e Kuvendit të Kosovës morën sot pagën bazë prej 1 mijë e 913 euro për muajin shtator ani se nuk kanë punuar asnjë ditë në këtë muaj. Gjykata Kushtetuese vendosi masën e përkohshme më 5 deri më 30 shtator dhe si pasojë u ndalua çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës.
KosovaPress ka mësuar nga një deputet i Kuvendit të Kosovës se sot pasdite u janë alokuar pagat bazë në llogari bankare prej 1 mijë e 913 euro për muajn shtator.
Kuvendi gjatë gjithë muajit shtator ishte në masë të përkohshme për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, rrjedhimisht deputetët nuk kanë kryer asnjë punë.
KosovaPress ka kërkuar përgjigje edhe nga Kuvendi i Kosovës sa i përket ekzekutimit të pagave për muajin shtator për deputetët dhe masën e përkohshme për konstituimin e Kuvendit gjatë këtij muaji, por të njëjtit deri në momentin e publikimit të lajmit nuk janë përgjigjur.
Gjatë kësaj periudhe të masës së përkohshme, deputetët e kanë pasur ndaluar çdo veprim apo vendim.
Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbyll më 30 gusht nga kryeparlamentari Dimal Basha, ani pse deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb, krahas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të tjerë të legjislativit.
Basha në arsyetimin e tij, ka thënë se ka ndërmarrë këtë veprim për të mos u bllokuar shteti dhe për të vijuar punën Kuvendi, rrjedhimisht edhe për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Ndërsa, sot Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka përfunduar.
Gjykata Kushtetuese ka vendos që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.