Pacolli reagon pas përmendjes në rastin e Liridona Ademajt

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas deklaratës së Granit Plavës, të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, i cili të enjten në Gjykatë u shpreh se i akuzuari tjetër Naim Murseli i pati thënë se për rastin është në dijeni edhe vetë Pacolli.

Pacolli ka thënë se njerëzit më të rrezikshëm nuk janë gjithmonë ata që njihen si të këqij nga të gjithë, por mund të jenë edhe ata që i ndihmon shumë e sapo të ndalesh, kthehen kundër me përgojim e pabesi.

Ai ka shkruar në Facebook se është distancuar prej kohësh nga disa njerëz, duke aluduar me Murselin, të cilin e ka pasur këshilltar politik gjatë periudhës sa mbante pozitë shtetërore.

“Ata harrojnë të mirat që kanë marrë, harrojnë dorën që i ka mbajtur dhe fjalën që i ka mbrojtur. Dhe kur nuk munden më ta mbajnë peshën e zgjedhjeve të veta, kërkojnë të shpëtojnë duke përmendur emra që nuk u përkasin më jetës së tyre. Kjo nuk është forcë. Kjo është varfëri karakteri. Po e them qartë: jam distancuar prej kohësh nga çdo njeri dhe nga çdo rrugë që nuk më përfaqëson. Ndihma që i kam dhënë dikujt dikur ka qenë njerëzore, por zgjedhjet që ai ka bërë më pas i përkasin vetëm atij”, ka shkruar Pacolli.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu