I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Çështjet e Ballkanit Perëndimor, Matthew Palmer, nuk e përjashton që Medeleine Albright të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë gjatë administratës Biden, teksa ka shtuar se interesat e ShBA-së në Kosovë janë të qëndrueshme dhe kapërcejnë momentet politike të caktuara.
“Ndërsa nuk mund të spekuloj për gjëra të tilla, unë mendoj se është e qartë se angazhimi i SHBA-së për partneritetin tonë me Kosovën dhe Serbinë do të mbetet i fortë, pavarësisht nga personalitetet individuale që mund të punojnë për këto çështje në administratën e ardhshme”, ka thënë ai.
Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit Palmer ka treguar për vizitën e fundit në Kosovë dhe eksperiencën e tij në Prishtinë gjatë një darke ku ishte organizuar një festë Halloweeni me vampirë dhe drita të ndryshme në vendin ku po qëndronte.
Ai ka thënë po ashtu se posa të kalojë pandemia COVID-19, e ëma e tij do ta mirëpriste një mundësi për të vizituar Kosovën.










