Paralajmëron Haradinaj: FSK-ja do të shkelë në veri

Forca e Sigurisë së Kosovës do të shkelë edhe në veri të vendit. Këtë zotim e ka dhënë kryeministri Ramush Haradinaj, raporton KTV.

Ai ka thënë se këtë përkrahje e ka marrë edhe nga Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis. Ka shtuar se nuk do të nguten për miratimin e tri projektligjeve për FSK-në në Kuvend, por këtë do ta bëjnë në një afat të caktuar.

Kryeministri Haradinaj e ka larguar përgjegjësinë nga vetja për emërimin e Endrit Shalës ministër të Tregtisë dhe Industrisë, duke thënë se ishte propozim i partnerit të koalicionit, Nismës Socialdemokrate.

Ministri Shala është i akuzuar për mbajtje nën kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve në rastin që ka të bëjë me gjuajtje me armë në odën e Fatmir Limajt. Gjatë mbledhjes së qeverisë, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është shprehur optimiste se në dhjetor do të merret vendimi nga Këshilli i Ministrave të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu