Fushata për zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë u zhvillua duke u shkelur masat parandaluese për shpërndarjen e virusit korona.
“Në shumicën e aktiviteteve të subjekteve politike, mosrespektimi i masave kundër Covid19 ishte evident. Këto aktivitete u shoqëruan me grumbullime të mëdha qytetarësh në tubime publike, duke mos respektuar rregullat për distancë sociale dhe mbajtjen e maskave në mënyrë të duhur”, raportojnë sot nga Demokracia në Veprim, koalicioni I organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve.
Raportohet që gjithashtu një numër i konsiderueshëm I aktivitete zgjedhore ishin shumë shpesh të pa paralajmëruara para institucioneve përkatëse.
“Po ashtu, elemente të gjuhës së urrejtjes në baza politike nuk kanë munguar në aktivitetet zgjedhore të monitoruara. Programet politike, u publikuan me shumë vonesë ndërsa pjesëmarrja e gruas në aktivitete zgjedhore ishte më e ulët se 30%”, deklarojnë nga DnV.
Fushata gjithashtu u zhvilluar edhe me përdorimin e automjeteve zyrtare, por në një masë më të vogël, sipas DnV, e cila zgjedhjet do t’i ndjek me 498 vëzhgues.









