Kryetari i Partisë për Emancipim të plotë të romëve (PCER), Samka Ibraimovski sot ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësdrejtorit të Ndërmarrjes Publike “Rrugët e Maqedonisë”.
Ai theksoi se me këtë subjekti i tyre pritet që të braktisë koalicionin me LSDM sepse nuk i janë përmbushur premtimet për pjesëmarrjen e tyre në pushtetin ekzekutiv.
Ky vendim i tyre është marrë në mbledhjen e sotme të Kryesisë Qendrore të mbajtur në Tetovë, përcjell INA.
“Nesër do të dorëzoj dorëheqjen për faktin se nuk janë realizuar premtimet që do t’i realizoheshin partisë sonë politike. Vendimi i dytë është që nesër të kemi një takim liderësh me të gjitha partitë rome, për të miratuar një platformë rome ku do të garojmë së bashku në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Dhe kjo u miratua njëzëri”, theksoi Ibrahimovski.
Sipas tij, vendimi i tretë është që të qëndrojmë në koalicion me LSDM-në deri në takimin me kryeministrin e ri Kovaçevski, për të parë se çfarë mendimi ka ai në pjesën e koalicionimit me partinë e tyre dhe se a do të ofrohet ajo që i është premtuar.
Sipas Ibraimovskit, PCER-i, si një nga partnerët më të vjetër të koalicionit të LSDM-së që nga pavarësia e vendit, tani do të kërkojë nga mandatari i ri Kovaçevski një pjesëmarrje tjetër në institucione.
Ai tha se romët në vend janë rreth 100 deri në 120 mijë dhe pret që me regjistrimin e ri të jenë 7 për qind nga numri i popullsisë së përgjithshme në RMV./INA









