Partitë politike në Maqedoni, të cilat duke akuzuar njëra-tjetrën për Platformën shqiptare, u ka lënë hapsirë partive maqedonase të akuzojnë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën se ai po përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë.
Sipas analistëve, Rama ka qenë vetëm një lehtësues i negociatave mes partive politike shqiptare në Maqedoni dhe jo ideatorë i platformës.
Politologu Xhenis Sulimani konsideron se mospajtimet brendapartiake dhe shkuarja e të njejtave në tryezë te kryeministri Rama tregon se partitë shqiptare nuk kanë aspak kapacitet për të zhvilluar dialog politik.
“Mospajtimet ndërpartiake në Maqedoni dhe shkuarja e të njëjtave në një tryezë të thirrur nga Edi Rama janë tregues të moskapacitetit të partive tona në zhvillimin e dialogut politik.
Përveç kësaj partitë shqiptare i dhanë hapësirë partive maqedonase dhe opinionit maqedonas në përgjithësi për ta akuzuar Ramën se kinse ai qenka kreatori i Platformës, ndërkaq Rama në këtë ngjarje ka luajtur vetëm rolin e lehtësuesit”, ka thënë Sulimani.
“Akuzat dhe kundërakuzat të partive politike shqiptare rreth përmbajtjes së Platformës dhe mosulja e tyre edhe në një tryezë tjetër të përbashkët në Shkup po e devalvon Platformën dhe po e bën jo serioze.
Mendimi im është se vetëm edhe një takim i përbashkët në mes partive shqiptare do t’i jepte fuqi Platformës dhe do t’ia bënte me dije faktorit politik maqedonas se Platforma është autoktone dhe jo e ardhur nga Tirana zyrtare apo Prishtina zyrtare”, ka përfunduar Sulimani.
Nga ana tjetër analisti politik Qenan Aliu shprehet se obligim kushtetues i shtetit shqiptar është të kujdeset për shqiptarët jashtë shtetit amë por kjo nuk do të thotë se ata përzihen në punët e brendshme të një shteti tjetër.
Ai thotë se liderët të cilët në mënyrë infantile theksojnë se kinse kryeministri Rama është ideator i platformës shqiptare, e bie atë në pozicion kritikash me pa të drejtë.
“Ju lutem, obligimi kushtetues i shtetit shqiptar për tu kujdesur për shqiptarët jashtë shtetit amë nuk është përzierje në punë të brendëshme të një shteti tjetër konkretisht të Maqedonisë. Deklarata e përbashkët nuk përmbanë asgjë dramatike, premisa të tilla janë vazhdimësi në programet e partive shqiptare mbi dy dekada.
Liderët të cilët në mënyrën më infantile duke theksuar se gjoja kryeministri Rama qenka ideatorë i Deklaratës pak a shumë e bien ate në pozicion kritikash kuptohet me pa të drejtë.
Pritjen vëllazërore të kryemistrit Rama nuk duhet keqkuptuar dhe keqpërdorur, sepse ai ka hallet e shtetit shqiptarë”, ka deklaruar Aliu duke shtuar se ata që atakojnë Ramën si autorë të platformës nuk e kanë të qartë se qeveria e shtetit shqiptarë kanë shumë eskpertë që po ta shkruanin një tekst deklaratë do të habitesh Maqedonia nga teknika e të shkruarit dhe nga argumentet historike.
Aliu madje thotë se nëse platforma shqiptare paska qenë e shkruar në Tiranë, atëher platforma maqedonase e që paralajmëroi Xingo është shkruar në Beograd.
Unë kam shkruar se këta megafon që po e atakojnë Ramën si autorë dhe ideatorë, nuk e kanë të qartë se qeveria e shtetit shqiptarë ka aq ekspertë të spikatur saqë po të shkruanin ata një tekst Deklarate jo që Maqedonia do të habiteshte nga teknika e të shkruarit por edhe nga argumetet historike saqë do të mbeteshin me gishtin në gojë.
Këta megafon dhe Nikolla Gruevski kurrë nuk deshti dhe nuk donë që të pranojë mbase edhe altruizmin politik kuptohet me energji pozitive të shtetit shqiptarë që njohu vendin me emrin kushtetues, nuk konteston gjëra historike a ka mjaft arsye dhe argumete për të kontestuar por nuk kthejnë rotën historike prapa, pra nuk pranojnë këtë korrektësi të shtetit shqiptarë.
Ju lutem fundja zemra e një organizmi është ajo që duhet dëgjuar, po ne jemi një organizëm i ndarë jemi një popull , po a nuk thuhet në preambulën e Kushtetutës së RM-së- pjesë e popullit shqiptar, po pse bëhen kaq të marrë për të injoruar dhe denigruar nevojën e kujdesjes të institucioneve të një (organizmi ) populli të ndarë.
Ne jemi pjesë e popullit të ndarë por jemi autokton, kemi parti politike autoktone, qëndrime dhe vizion politik autentik. Ju lutem, duhet ta pranojmë se kemi politkan në mesin tonë që nuk i njohin çështjet, nga papërvoja politike, nga preputenca shpesh pronocohen për diçka që nuk jan të vetëdijshëm për pasojat.
Por kam edhe një pyetje;- Ku është shkruar platforma Maqedonase e socialistit Xingo përveç se në Beograd ?!”, ka deklaruar për “Zhurnal” analisti politik Qenan Aliu.
Ndërsa politologu Mevlud Islami konsideron se akuzat e VMRO-DPMNE-së ndaj kryeministrit shqiptar se kinse ai po përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë kanë të vetmin qëllim që ta devalvojnë platformën shqiptare dhe atë ta quajnë si tentim drejt deferalizimit dhe ndarjes së shtetit.
Sipas tij akuzat e tilla janë të pabaza dhe edhe më tepër shtojnë urrejtjen ndëretnike.
“Veprimi i VMRO DPMNE-së me akuzat ndaj kryeministrit shqiptar se gjoja përzihet në punët e mbrendshme të Maqedonisë ka për qëllim që Platformën e shqiptarëve në Maqedoni mos ta quajnë deklaratë për avancimin e çështjes shqiptare por tentim finok drejt federalizmit dhe drejt ndarjes së shtetit, me arsyen se kjo platformë është përgatitur në Tiranë dhe Prishtinë dhe të vetmin qëllim ka ndarjen e Maqedonisë.
Akuzat e tilla janë të pabaza dhe shtojnë edhe me tepër urrejtjen ndër etnike mes palëve.
Realiteti është krejt ndryshe dhe halli i tyre më shumë ka të bëjë me shpëtimin grupore nga drejtësia që po i ndjek sesa që ka të bëj me populizmin nacionalist”, ka deklaruar Islami duke shtuar se partitë poltike po tregojnë një adoleshencë të paparë duke u marrë më shumë me problemet teknike sesa me esencën e çështjes.
“Nga ana tjetër veprimet e partive shqiptare parlamentare se vallë Platforma u formua në Tiranë apo në Shkup është një adoleshencë politike duke u marrë me shumë me problemet teknike sesa me esencën e çështjes.
Ajo çka është e rëndësishme dhe jetike se deklarata e përbashkët është dokument zyrtar që unifikon faktorin shqiptar në Maqedoni kur janë në pyetje interesat kombëtare”, ka përfunduar Islami.
Kujtojmë se edhe para zgjedhjeve të 11 dhejtorit kryeministri i Shqipërisë Edi Rama pati deklaruar se nuk përzihet në politikën e brendshme të këtij vendi por është i interesuar për zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe barazi mes maqedonasve dhe shqiptarëve. /albeu