Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, ia ka kthyer shpinën atdheut, për të cilin pak ditë më parë thoshte se i mungonte shumë.Pesë ditë pasi i ishte gëzuar kthimit në shtëpinë e tij në Hajvali të Prishtinës, Pacolli ka fluturuar sërish sot për në Zvicër.Më 30 prill, kur më në fund arriti në Kosovë pas një hallakame të shkaktuar rreth mundësisë së aterrimit në Aeroportin e Prishtinës, që ndërlidhej me mundësinë e karantinimit të tij pasi vinte nga një vend i jashtëm, Behgjet Pacolli kishte shkruar porsa kishte mbërritur në shtëpinë e tij: “Sapo arrita në shtëpinë time. Sa më mungonte atdheu.”
Por, atdheut ai ia ktheu shpinën.Behgjet Pacolli sapo ka njoftuar se është kthyer në Zvicër, te familja e tij. “Sot kam udhëtuar për në Zvicër për t’u bashkuar me familjen time pasi në kufizimet aktuale në Kosovë, fëmijët e mi nuk mund të më bashkohen në shtëpinë time në Prishtinë. Shpresoj së shpejti ta kalojmë këtë pandemi dhe jeta jonë të kthehet në normalitet“, ka shkruar ai në Facebook.Duhet theksuar se në ditën kur aterroi në Aeroportin e Prishtinës, ku kishte ardhur nga Tirana, Pacolli shfryu kundër institucioneve të Kosovës, sidomos kundër kryeministrit në detyrë Albin Kurtit dhe zëvendësministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Në një prononcim për media, Pacolli ka thënë se ka pasur frikë se institucionet e shtetit të Kosovës do të kryenin “akt terroristik” kundër tij dhe kjo kishte qenë arsyeja pse ai nuk kishte aterruar në Prishtinë por në Tiranë.E gjithë “drama” rreth kthimit të Pacollit nga Zvicra në Kosovë ishte shkaktuar pas dyshimeve se atë mund ta ketë sjellë nga Tirana në mënyrë ilegale presidenti Hashim Thaçi, i cili kishte shkuar në Shqipëri dhe ishte kthyer, pa e ditur se kush ishte në veturën e tij.Lidhur me këto dyshime, zëvendësministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, kishte kërcënuar se nëse del që Pacolli ka hyrë në Kosovë pa i respektuar masat kundër pandemisë, që nënkuptonin karantinimin e tij, atëherë ndaj tij do të përdoreshin të gjitha mjetet ligjore.Ky paralajmërim i Sveçlës ishte parë si kërcënim nga Pacolli dhe njerëzit rreth tij, si dhe nga presidenti dhe zyrtarë të partive opozitare.
Përfundimisht, Pacolli u kthye në Prishtinë dhe pas kontrollës mjekësore në Aeroport ai shkoi në shtëpinë e tij.










