Pas disa vitesh flamuri kosovar e zëvendëson atë kombëtar në hyrje të Prishtinës

Pas shumë diskutimeve në opinon se përgjegjësi e kujt ishte vendosja e flamurit të Kosovës te Rrethi, e madje, edhe alternativave për ta gjetur zgjidhjen e duhur, në mëngjesin e ditës së sotme, në prag të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në hyrje të Prishtinës po valëvitet flamuri i shtetit, shkruan Gazeta Express.
Mbrëmjen e ditës së martë pati kundërshtime të shumta nga qytetarët që nuk pajtoheshin që flamuri kombëtar të hiqej nga rrethrrotullimi dhe të vendosej ai i Kosovës.

Përveç këtyre problemeve, pati edhe nga ato teknike që pamundësuan vendosjen e tij pa ndërhyrjen e KEDS-it dhe të zjarrfikësve.

Por, kur zjarrfikësit po ulnin flamurin kombëtar, nga vetura ku po qëndronte flamuri i Kosovës u thye xhami dhe flamuri u vodh.

Duke mos pasur zgjidhje tjetër, një flamur me përmasa të vogla u vendos në hyrje të kryeqytetit.

Ai po valon edhe sot në këtë vend, ani pse kishte të atillë që paralajmëruan se do ta kundërshtonin vendosjen e tij me të gjitha mënyrat, e madje, duke shkruar se flamuri është mbrojtur me gjak e kështu duhet të mbrohet përsëri.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu